Mancini: “Wembley” është 6 ndeshje larg, të qëndrojmë me këmbë në tokë

  • S.A /
  • 12 June 2021 - 10:52
Mancini: “Wembley” është 6 ndeshje larg, të qëndrojmë me këmbë në tokë

Italia e nisi në mënyrë perfektë Evropianin 2020, duke marrë një fitore të pastër 3-0 ndaj Turqisë në ndeshjen hapëse në stadiumin “Olimpico”. Pas takimit, trajneri Roberto Mancini u shfaq mjaft i kënaqur me paraqitjen e të tijve. Ai tha se duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë dhe të mendojnë ndeshje pas ndeshje për të arritur në finalen e madhe që do të zhvillohet në “Wembley”.

“Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë, madje edhe në pjesën e parë kur nuk arritëm të shënonim., Kishim kontrollin e lojës gjatë gjithë 90 minutave dhe nuk i lamë thuajse asnjë mundësi kundërshtarit të na rrezikojë”, u shpreh Mancini.

Reklamë

“Nuk ishte e lehtë, pasi Turqia është një kundërshtar i fortë dhe për më tepër ishte një ndeshje debutuese, ku ka gjithmonë emocione. Megjithatë publiku na ndihmoi shumë dhe bëmë një ndeshje vërtetë të mirë”.

“Ishte shumë e rëndësishme ta nisnim mirë, për t’u dhënë kënaqësi të gjithë italianëve, që mezi e prisnin një ndeshje të tillë. Shpresoj të kemi të tjera mbrëmje si kjo, por të qëndrojmë me këmbë në tokë, pasi “Wembley” është 6 ndeshje larg”.

Nga ora 15:00, do të zhvillohet ndeshja tjetër në Grupin A, në mes të Uellsit dhe Zvicrës.

Nga minuta e parë për Zvicrën pritet të zbresin në fushë Xherdan Shaqiri, Granit Xhaka dhe Admir Mehmedi.

Gjatë ditës së sotme do të zhvillohen edhe dy ndeshje tjera, ato të Grupit B.

Nga ora 18:00 do të përballen Danimarka me Finlandën, derisa nga ora 21:00 do të luajnë favoritët e grupit, Belgjika me Rusinë. 

(Kosova Sot Online )