Brazili e nis mbrojtjen e titullit në Kupën e Amerikës me fitore të lehtë kundër Venezuelës

  • S.A /
  • 14 June 2021 - 08:36
Brazili e nis mbrojtjen e titullit në Kupën e Amerikës me fitore të lehtë kundër Venezuelës

Brazili e ka nisur mbrojtjen e titullit në Kupën e Amerikës me një fitore të lehtë 3:0 kundër Venezuelës, në ndeshjen hapëse të turneut të dielën vonë.

Njeriu kryesor Neymari e shënoi një gol dhe e përgatiti një tjetër, duke u shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes së zhvilluar në Brasilia.

Mbrojtësi i Paris Saint-Germain Marquinhos e hapi serinë e golave kur shënoi në minutën e 23-të, pasi mbrojtja e Venezuelës dështoi ta largojë topin nga zona pas një harkimi nga këndi.

Neymar shënoi më vonë nga penalltia dhe pastaj asistoi për Gabriel Barbosan, i cili e vulosi fitoren e nikoqirit në fund të takimit.

Brazili, që është nëntë herë fitues i Kupës së Amerikës, më 2019 e fitoi këtë turne për herë të parë pas 12 vjetëve.

Por Venezuela ishte e prekur nga COVID-19, pasi 12 lojtarë dhe anëtarë të stafit të trajnerit dolën pozitivë me koronavirus një ditë para ndeshjes hapëse në Grupin A, në të cilin bëjnë pjesë edhe Kolumbia, Ekuadori dhe Peruja.

Ndërkohë, Kolumbia e mundi 1:0 Ekuadorin në ndeshjen e tyre hapëse. 

(Kosova Sot Online )