Conference League: Llapi përballet me Shkupin, Drita me ekipin malazez Deçiç

  • S.A /
  • 15 June 2021 - 15:51
Conference League: Llapi përballet me Shkupin, Drita me ekipin malazez Deçiç

Llapi dhe Drita i kanë mësuar kundërshtarët e tyre në rrethin e parë kualifikues në Europa Conference League.

Shorti i hedhur të martën në Nyon i kanë vënë klubet kosovare përballë klubeve nga shtetet fqinje, me Llapin që do të ballafaqohet me Shkupin e Maqedonisë së Veriut dhe Dritën që do të ketë punë me Deçiçin e Malit të Zi. Rrethi i parë kualifikues i ka dy ndeshje, vajtje-ardhje, dhe zhvillohet më 8 dhe 15 korrik.

Llapi do të marrë pjesë në kualifikime për një garë evropiane për herë të parë në historinë e klubit dhe këtë e arriti falë triumfit në Kupën e Kosovës. Ndërkohë, Drita merr pjesë për herë të parë në kualifikime të kësaj gare të re, si nënkampione e Superligës. Europa Conference League do të jetë gara e tretë e UEFA-s për klube dhe do të zhvillohet në të njëjtën kohë me Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës. Ajo do të jetë një garë evropiane e kategorisë të tretë, pas garës më prestigjioze, Ligës së Kampionëve dhe garës dytësore, Ligës së Evropës.

Qëllimi për jetësimin e kësaj lige ka qenë për t’u dhënë më shumë klubeve mundësi në futbollin evropian, posaçërisht atyre nga vendet që e kanë shumë të vështirë të kualifikohen në garat e UEFA-s, siç është Kosova, për shembull.

(Kosova Sot Online )