Alarmohet kampionati i ri: Anëtaret e reja të Superligës nuk kanë kushte, FFK vendos t’i ndihmojë ato

  • S.A /
  • 16 June 2021 - 13:03
Alarmohet kampionati i ri: Anëtaret e reja të Superligës nuk kanë kushte, FFK vendos t’i ndihmojë ato

Më 21 gusht do të fillojë edicioni i ri në Superligën e Kosovës në futboll, kategori kjo e cila thuajse pas çdo mbledhje të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) vlerësohet se vazhdimisht po shkon drejt ngritjes së nivelit e cilësisë.

Mirëpo, edicioni i ardhshëm rrezikon të jetë dukshëm më i zbehtë. Dhe, alarmi ka ardhur nga vet FFK-ja, e cila potencon se disa klube që do të garojnë në Superligë nuk kanë kushte si pjesa tjetër klubeve elitare, të cilat edhe ashtu kishin të meta si në anën profesionale e organizative ashtu edhe me vështirësi financiare.

Siç dihet, nga Superliga e Kosovës së fundmi kanë rënë, përpos Arbërisë, edhe dy klubet tjera me nam, Besa e Trepça ’89, të cilat iu kanë bashkuar në rangjet e poshtme klubeve më me renome, si Vëllaznimit nga Gjakova, Lirisë nga Prizreni, Trepçës nga Mitrovica, Ferizajt, Flamurtarit, Vushtrrisë, etj., klube këto të cilat qysh moti kanë lënë boshllëk të dukshëm në Superligë.

Në Superligë tani janë inkuadruar Malisheva, Dukagjini i Klinës dhe Ulpiana nga Lipjani. Por, FFK-ja ka konfirmuar se këto klube nuk kanë kushte të mjaftueshme për pjesëmarrje në Superligë. Andaj, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, në mbledhjen e së martës, ka marrë vendim që t’u dalë në ndihmë këtyre klubeve të reja të Superligës.  “Komiteti Ekzekutiv diskutoi edhe për përkrahje të klubeve që kanë kaluar në rang më të lartë të garave, duke konstatuar se jo të gjitha kanë kushtet e nevojshme, ndaj FFK do t’u dalë në ndihmë që të jenë të përgatitura në përputhje me rangun e garave”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Në futbollin kosovar gjithnjë është potencuar nevoja për të vendosur kritere për klubet garuese në të gjitha garat në mënyrë që trendi zhvillimor të ecën hap pas hapi dhe të evitohet diskropanca e madhe si në mes klubeve ashtu edhe në mes të garave.

(Kosova Sot Online )