Në Zvicër Xhakën e pranojnë kudo, por s’e duan kudo, thotë ish-ylli i Zvicrës

  • S.A /
  • 16 June 2021 - 13:42
Në Zvicër Xhakën e pranojnë kudo, por s’e duan kudo, thotë ish-ylli i Zvicrës

Granit Xhaka e ndan opinionin në Zvicër për shkak të karakterit dhe sjellëve të tij brenda dhe jashtë fushës, por ai mbetet lojtari më i rëndësishëm në ekipin kombëtar helvetik, thotë ish-bashkëlojtari i tij dhe ish-përfaqësuesi i Zvicrës, Benjamin Huggel.

Huggel thotë se mesfushori nga Kosova pranohet në çdo vend në Zvicër por nuk dashurohet gjithandej.

Në Euro 2020 Xhaka është duke marrë pjesë në turneun e katër të madh për Zvicrën, pas Kampionateve Botërore 2014 dhe 2018, dhe Evropianit 2016. Por këtë herë, mesfushori i Arsenalit do ta udhëheqë kombëtaren helvetike si kapiten.

Huggel, i cili është 15 vjet më i vjetër se Xhaka, ishte partner i mesfushorit nga Kosova në fillim të karrierës së tij në Basel.  Ai e quan Xhakën lider të lindur natyral.

 “Qysh nga fillimi, ai ka pasur vetëbesim në lojën e vet dhe në përgjithësi. Kjo gjë nuk iu pëlqen zviceranëve. Këtu, çdo gjithçka bazohet në të qenit natyral, person normal. Zviceranëve nuk iu pëlqen të thonë se ne kemi numër një”, tha Huggel.

Xhaka u kritikua dje nga gazeta më e madhe zviceran, Blick, për lyerjen e flokëve pas barazimit me Uellsin në ndeshjen hapëse të Euro 2020.

Ai shtoi: “Nuk ka qenë dashuri në shikim të parë mes Xhakës dhe Zvicrës. Megjithatë, dashuria është rritur me kalimin e viteve. Në Zvicër, ai pranohet kudo, por nuk dashurohet kudo”.

Zvicra barazoi 1:1 me Uellsin në ndeshjen hapëse në Grupin A në Euro 2020 dhe do të përballet sonte me Italinë në një ndeshje vendimtare.

“Është e qartë se ne kemi nevojë për të. Ai është lojtari që e bën dallimin. Nëse ai luan mirë, Zvicra luan mirë. Ai është lojtari më i rëndësishëm”, shtoi ai.

Xhaka është kapiten i Zvicrës që prej shtatorit të vitit 2020, pas pensionimit të mbrojtësit Stephan Lichtsteiner. Xhaka, i lindur në Basel nga prindër shqiptar që kishin ikur nga okupimi serb në vitet 90-ta, është shqiptari i parë që emërohet kapiten i Zvicrës.

29-vjeçari i ka bërë 93 paraqitje për Zvicrën në të gjitha garat, duke i shënuar 12 gola.

(Kosova Sot Online )