Berisha rikthehet në Serie A, do t’i bashkohet klubit të shqiptarëve

  • A.P /
  • 22 June 2021 - 16:49
Berisha rikthehet në Serie A, do t’i bashkohet klubit të shqiptarëve

Pas një sezoni pozitiv me Spal në Serie B me skuadrën nga Ferrara që gjithsesi nuk arriti të siguronte rikthimin në Serie A, Etrit Berisha sezonin e ardhshëm mund të luajë sërish në nivelin më të lartë të futbollit italian.

Portieri i kombëtares shqiptare ka përfunduar në radarët e Torinos, me trajnerin e ri Ivan Juric që ka përzgjedhur pikërisht Berishën si pasues të Salvatore Sirigut.

 

Portieri veteran i grumbulluar me Italinë në Euro 2020 edhe pse ka edhe një vit kontratë me klubin “granata” do të largohet nga Torino gjatë kësaj vere për t’u bërë portieri i dytë i Juventusit dhe vendin e tij në skuadër do ta marrë pikërisht Berisha.

Sipas gazetarit të mirënjohur Gianluca Di Marzio ekspert në fushën e merkatos, largimi i Sirigut është i konfirmuar ashtu siç është arritja e një akordi mes Torinos dhe Spal për ta zëvendësuar me 32-vjeçarin shqiptar i cili fillimisht në skuadër do të jetë zëvendësi i serbit Milinkovic-Savic vëllait të mesfushorit të Lazios Sergej Milinkovic-Savic. Por falë aftësive dhe reflekseve të tij gardiani i kombëtares kuqezi mund ta fitojë shumë shpejt vendin e titullarit edhe te Torino ashtu siç ka ndodhur edhe te Lazio e Atalanta në të shkuarën. 

(Kosova Sot Online)