Sot kompletohet 1/8 e finales në Euro 2020, Portugalia, Gjermania dhe Spanja e kërkojnë kualifikimin

  • S.A /
  • 23 June 2021 - 10:17
Sot kompletohet 1/8 e finales në Euro 2020, Portugalia, Gjermania dhe Spanja e kërkojnë kualifikimin

Sot do të kompletohet rrethi i 16 ekipeve më të mira kombëtare në Euro 2020, me kampionen në fuqi, Portugalia, dhe Gjermaninë që do ta kërkojnë kualifikimin në ndeshjet e fundit në grup.

Ndeshjet e rrethit të fundit në dy grupet e mbetura, E dhe F, do të zhvillohen sot, për t’i mbushur edhe katër vendet e mbetura në rrethin e 1/8 së finales. Suedia, e cila e ka siguruar kualifikimin, do të përballet me Poloninë, ndërsa Sllovakia me Spanjën, në ndeshjet e grupit E që nisin në orën 18:00.

Spanja do ta arrijë kualifikimin nëse fiton ndaj Sllovakisë. Por Spanja shkon edhe me barazim nëse Polonia nuk e mund Suedinë. Sllovakia shkon tutje me një barazim, ndërsa Polonisë i duhet fitorja për ta arritur këtë.

Në Grupin F, që njihet si grupi i vdekjes, Franca e ka siguruar kualifikimin, ndërsa Portugalia, Gjermania dhe Hungaria do ta kërkojnë këtë në përballjet e fundit. Gjermania kualifikohet tutje nëse e shmang humbjen ndaj Hungarisë. Edhe Portugalia kualifikohet tutje nëse e shmang humbjen ndaj Francës.Ndërsa Hungaria shkon tutje vetëm nëse e mposht Gjermaninë. Ndeshjet e Grupit F zhvillohen në orën 21:00. 

(Kosova Sot Online )