Juventusi dhe Barcelona i dërgojnë UEFA-s mesazh të krenarisë

  • S.A /
  • 23 June 2021 - 12:16
Juventusi dhe Barcelona i dërgojnë UEFA-s mesazh të krenarisë

Juventusi dhe Barcelona i kanë ngjyrosur logot e veta në rrjetet sociale me ngjyra te ylberit, pasi UEFA ia hodhi poshtë kërkesën e Gjermanisë për ta ndriçuar stadiumin Allianz Arena në përkrahje të komunitetit LGBTQ+.

Organi qeverisës i futbollit në Evropë nuk e pranoi kërkesën e këshillit të komunës së Munihut për ta ndriçuar Allianz Arenën me ngjyra të ylberit për ndeshjen e sotme mes Gjermanisë dhe Hungarisë në Euro 2020.

Kjo kërkesë erdhi pas vendimit të Parlamentit të Hungarisë për t’ua ndaluar homoseksualëve paraqitjen në materialet arsimore në shkollë apo në emisione televizive nën moshën 18-vjeçare.

UEFA e hodhi poshtë kërkesën duke thënë se ka përmbajtje politike dhe mesazhi i saj është ndaj një vendimi të marrë nga Parlamenti i Hungarisë.

Më vonë, Juventusi dhe Barcelona i dolën në përkrahje komunitetit LGBTQ+, duke i ngjyrosur logot e klubeve të veta përkatëse me ngjyrat e ylberit në rrjetet sociale.

Hapat e tyre i ndoqën edhe klubet gjermane si Bayer Leverkusen dhe Cologne.

(Kosova Sot Online )