Maqedonia e Veriut cakton trajnerin e ri

  • A.P /
  • 25 June 2021 - 17:08
Maqedonia e Veriut cakton trajnerin e ri

Maqedonia e Veriut e gjen shumë shpejt pasuesin e Igor Angelovksit. Vetëm pak ditë pas eliminimit nga Kampionati Evropian që solli edhe fundit e aventurës së Igor Angelovskit në drejtimin e kombëtares, presidenti i Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini ka emëruar përzgjedhësin e ri të ekipit i cili është Blagoja Milevski.

50-vjeçari vjen nga përfaqësuesja e 21-vjeçarëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët i kualifikoi në Evropianin U-21. Në karrierën e tij Milevski ka drejtuar edhe Vardarin e Shkupit ndërkohë që për pak kohë ka qenë edhe pjesë e ekipit izraelit Ashdod.

Pas firmës me Milevskin, presidenti i Federatës së Futbollit në Maqedoninë e Veriut, Muamed Sejdini për mediat maqedonase u shpreh:

“Vizioni për të ardhmen tonë të futbollit me Blagoja Milevski si trajner i kombëtares maqedonase A është i qartë. Ai është njeriu që rigjeneroi rrjedhën e gjakut të futbollit maqedonas, krijoi një grup të jashtëzakonshëm lojtarësh të cilët tashmë kanë luajtur në dy Kampionate Evropiane, të rinj dhe të rritur, dhe ne jemi të bindur se kjo rrugë duhet të vazhdojë”, tha Sejdini.

(Kosova Sot Online)