Krasniqi: Shpresojmë të vazhdojmë dhe të arrijmë edhe suksese tjera

  • A.P /
  • 25 June 2021 - 23:35
Krasniqi: Shpresojmë të vazhdojmë dhe të arrijmë edhe suksese tjera

Heroi i Prishtinës, Krasniqi: Shpresojmë të vazhdojmë dhe të arrijmë edhe suksese tjera

FC Prishtina ka triumfuar me rezultat të pastër 2:0 ndaj Inter Escaldes në finalen e turit parakualifikues të Ligës së Kampionëve.

Ishte Endrit Krasniqi që shkëlqeu sonte me dy gola duke i dhënë kualifikimin tutje kampiones së Kosovës në futboll. Me këtë fitore, Prishtina siguron kualifikimin në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Krasniqi në dy ndeshjet e turit parakualifikues të Champions Leagues realizoi tre gola dhe bëri një asistim duke qenë kështu i përfshirë direkt në të gjithë golat e Prishtinës në këtë fazë.

Pas ndeshjes, ai deklaroi se kanë punuar gjatë gjithë vitit për të arritur këtu dhe tha se shpreson të vazhdojnë dhe të arrijnë suksese tjera.

“Ishte ndeshje shumë e rëndësishme për klubin. Gjatë gjithë vitit kemi punuar për të ardhur këtu ku kemi kaluar vetëm fazën paraeliminatore. Është shumë e rëndësishme që të vazhdojmë të mbetemi kështu si grup që jemi tani, sepse kjo është forca më e madhe e ekipit. Shpresojmë të vazhdojmë dhe të arrijmë edhe suksese tjera” – u shpreh Krasniqi për faqen zyrtare të Prishtinës.

Në raundin e parë kualifikues, Prishtina do të përballet me ekipin nga Hungaria, Ferencvaros që ishte në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve edicionin e kaluar, ku luajti ndaj dy super ekipeve evropiane, Barcelonës dhe Juventusit. 


(Kosova Sot Online)