Varianti Delta infekton tifozët danezë, alarm në Holandë

  • S.A /
  • 26 June 2021 - 09:38
Varianti Delta infekton tifozët danezë, alarm në Holandë

Rritet numri i tifozëve të cilët, pasi morën pjesë në ndeshjet e Euro 2020, të luajtura në “Parken” të Kopenhagës, më pas rezultuan pozitivë me COVID-19 për shkak të variantit indian, Delta. Njoftimi u bë nga autoritetet lokale shëndetësore, që specifikuan se numri i njerëzve të infektuar, që kishin ndjekur Danimarkë-Belgjikë, 17 qershorin e kaluar, është rritur nga tre në nëntë, ndërsa katër pozitivë janë mes atyre që kanë parë Danimarkë-Rusi, më 21 qershor.

Kështu, ndërsa po bëhen përpjekje për të “gjurmuar” ata që ishin në stadium, iu bë një thirrje “të gjithë atyre që ishin në tribunën B të “Parken” gjatë ndeshjes më 21 qershor” t’u nënshtrohen tamponëve të tipit PCR.

“Kemi qenë gjithmonë të gatshëm për të zbuluar dhe izoluar raste të infeksionit të lidhura me ndeshjet e Euro 2020.

Ekziston gjithmonë ky rrezik, kur shumë njerëz mblidhen në të njëjtin vend”, – ishte komenti i drejtueses së Agjencisë Kombëtare të Sigurisë së Pacientit, Anette Lykke Petri.

Tani ka alarm edhe në Holandë, ku Danimarka do të përballet me Uellsin në një nga ndeshjet e raundit të 1/8-ave.

Në fakt, 4 400 tifozë danezë pritet të jenë të pranishëm në “Johan Cruijff Arena”, ndaj ekziston frika se mes tyre mund të ketë disa që kanë parë ndeshjet e mëparshme nga tribuna B e “Parken”.

(Kosova Sot Online )