Barcelona heq dorë nga Pjanic dhe Umtiti, i lë të largohen falas

  • A.P /
  • 04 July 2021 - 17:38
Barcelona heq dorë nga Pjanic dhe Umtiti, i lë të largohen falas

Situata e vështirë ekonomike ka bërë që drejtuesit e Barcelonës të planifikojnë disa largime të bujshme nga ekipi, për t’u liruar sadopak nga “mali i lartë” i pagave dhe lista e atyre që duhet të lënë “Camp Nou”-n është vërtetë shumë e gjatë.

Megjithatë jo për të gjithë ka oferta, ndaj Joan Laporta ka vendosur të lërë të lirë dy nga futbollistët e skuadrës, mbrojtësin francez Samuel Umtiti dhe mesfushorin boshnjak Miralem Pjanic, të cilët nuk bëjnë pjesë në planet e trajnerit Koeman.

Ndonëse një vit më parë e morën me bujë mesfushorin Pjanic nga Juventus, në një operacion që kapi vlerën e 60 milionë eurove, katalanët e kanë përdorur me pikatore futbollistin dhe tani janë gati ta lënë të lirë të largohet.

Menjëherë pas rinisjes së grumbullimit, të dy futbollistëve do t’u ofrohet mundësia të largohen si futbollistë të lirë dhe të heqin dorë nga kontrata me katalanët, ndërsa për Pjaniç nuk përjashtohet një rikthim te Juventusi.

Te bardhezinjtë është ulur në pankinë sërish Allegri dhe për më tepër në skuadër nuk ka ende një futbollist me cilësitë e duhura për të luajtur para mbrojtjes, ndaj Pjaniç do të ishte alternativa ideale, aq më tepër që mund të rikthehet me parametra zero.

Sa i përket Umtiti, e ardhmja pritet të jetë në kampionatin anglez, ku klube si Everton, Aston Villa e Leicester janë gati t’i ofrojnë një kontratë joshëse, pasi kanë shprehur interes edhe më herët për kartonin e tij.

(Kosova Sot Online)