Synimi i Tottenhamit si klub është ta mbajë sulmuesin Kane, thotë drejtori Paratici

  • S.A /
  • 05 July 2021 - 10:40
Synimi i Tottenhamit si klub është ta mbajë sulmuesin Kane, thotë drejtori Paratici

Tottenhami dëshiron që Harry Kane të qëndrojë në klub, ka thënë drejtor sportiv i klub, Fabio Paratici.

Kane e ka njoftuar klubin se dëshiron të largohet dhe Manchester City ka bërë ofertë për të tashmë.

Kane, i cili i ka shënuar tri gola për t’i ndihmuar Anglisë ta arrijë gjysmëfinalen në Euro 2020 këtë verë, ka kontratë me Tottenhamin deri më 2024.

“Ta mbaj atë nuk është vetëm synimi im, është synimi ynë si klub”, tha Paratici, i cili iu bashkua Tottenhamit muajin e kaluar pasi u largua nga Juventusi.

“Mezi pres ta shoh nga afër duke luajtur. Viteve të fundit kam qenë shumë me fat sepse i kam shikuar nga afër ndeshjet e shumë lojtarëve dhe sulmuesve të mëdhenj, si Cristiano Ronaldo, Carlos Tevez, Alvaro Morata dhe Gonzalo Higuain”, shtoi ai.

Ai theksoi për Kane: “Tani për tani ai është njëri prej sulmuesve më të mirë në botë. Ai është lojtar i kompletuar, vërtet i veçantë. Fiziku i tij është i një numri 9 të vërtetë. Nuk jam dëgjuar me të akoma sepse nuk dua t’i shqetësoj lojtarët që janë të zënë në Euro: nuk më duket e drejtë”.

Tottenhami, nën udhëheqjen e trajnerit të ri Nuno Espirito Santo, do ta presë Manchester Cityn në ndeshjen hapëse të sezonit të ri 2021/22 në Premierligë të dielën më 15 gusht.

(Kosova Sot Online )