Achraf, Lukaku, Eriksen, Lautaro… Inzaghi prezantohet te Interi!

  • A.P /
  • 07 July 2021 - 21:36
Achraf, Lukaku, Eriksen, Lautaro… Inzaghi prezantohet te Interi!

Merr jetë Interi i Simone Inzaghit. Trajneri 45-vjeçar ka nisur këtë të mërkurë zyrtarisht aventurën zikaltër teksa tha edhe fjalët e para si timonieri i ri i kampionëve të Italisë nga salla e konferencave për shtyp ku u prezantua para mediave nga adminstratori i deleguar Giuseppe Marotta.

Për Simone Inzaghin kjo me Interin mund të konsiderohet pa dyshim si sfida më e rëndësishme në karrierë, pasi ish-trajneri i Lazios ka marrë përsipër misionin e vështirë për të vazhduar rrugën e sukseseve të lënë përgjysmë nga Antonio Conte. Inzaghi e pranoi se objektivi kryesor i Interit në sezonin e ri do të jetë mbrojtja e titullit kampion ndërkohë që edhe në Champions do të synohet minimalisht kalimi i fazës së grupeve.

“ Jam shumë entuziast për këtë sfidë të re në karrierën time. Jam maksimalisht i motivuar. E di që më pret një punë e vështirë por njëkohësisht edhe një sfidë shumë e bukur. Drejtuesit më bindën menjëherë për të pranuar ofertën e Interit pasi në pak ditë treguan një dëshirë të madhe për të më patur. Duhet të mbrojmë titullin kampion dhe nuk do të jetë e lehtë pasi janë shumë skuadra që do të luftojnë për të na zbritur nga froni. Dua të komplimentoj klubin dhe trajnerin Conte që arritën të fitonin një kampionat që Interit i mungonte prej shumë vitesh. Merkato? Ka ende shumë kohë për merkaton dhe ju siguroj se do të ketë lëvizje. E dija që Hakimi do të largohet por drejtuesit më kanë premtuar se skuadra do të mbetet kompetitive ashtu si sezonin e shkuar. Objektivi kryesor do të jetë mbrojtja e titullit por edhe në Champions duam të bëjmë mirë pasi Interi ka 10 vite që nuk kalon grupin”.

Më pas Simone Inzaghi foli edhe për individët duke zbuluar se ka biseduar në telefon me të gjithë futbollistët, ndërsa në lidhje me merkaton theksoi se klubi nuk do të bëjë të tjera sakrifica pas shitjes së Achraf Hakimit te Paris Saint Germain.

“ Duhet t’i jap vazhdimësi punës së nisur nga Conte me shpresën për të arritur objektivat që na ka vendosur klubi. Lukaku?  Kam folur me të disa herë. Është i mërzitur ende për eliminimin e Belgjikës nga Euro 2020. Romelu është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, është një garanci, ashtu si Bastoni, Barella apo Lautaro të cilëve u uroj të fitojnë finalet respektive në Europian dhe Copa America. Me Eriksen kam biseduar para Europianit, më pas nuk kam folur. Klubi i ka vendosur në dispozicion të gjithë kohën që dëshiron për të pushuar pas asaj që i ndodhi, unë më pas do ta pres krahëhapur. Pas asaj që ndodhi me Christian, klubi përfitoi nga rasti dhe firmosi me Calhanoglu një lojtar me karakteristika deri diku të ngjashme që më pëlqen shumë. Ashtu siç kam bërë te Lazio edhe te Interi dua të kem një skuadër që shënon shumë gola dhe argëton tifozët, të cilët shpresoj t’i kemi sa më të shumtë në numër në shkallët e stadiumit”.

Vetëm pak orë pas prezantimit pikërisht këtë të enjte Simone Inzaghi do të zbresë në fushë për të nisur përgatitjet për sezonin e ri me Interin, me lojtarët që nuk kanë qenë të impenjuar në Europian dhe Kupën e Amerikës.


(Kosova Sot Online)