Chiellini ëndërron trofeun me Italinë, flet për atë që ndodhi me Jordi Albën

  • S.A /
  • 09 July 2021 - 09:23
Chiellini ëndërron trofeun me Italinë, flet për atë që ndodhi me Jordi Albën

Giorgio Chiellini nuk ka fituar asnjë trofe me Italinë, por ka shansin në Euro 2020. Të dielën në mbrëmje (11 korrik, 21:00) do të luajë ndeshjen numër 112 me kombëtaren e kaltër, që do të sfidojë Anglinë në “Wembley” në finalen e Euro 2020, takim rreth të cilit flet kapiteni i ekipit të Mancinit. 

“Po afron ajo që kemi ëndërruar në tre vitet e fundit, që trajneri na e ka ngulitur në kokat tona pikë për pikë. Emocionet kanë ardhur në rritje, kjo na ka mundësuar të zhvillojmë një Europian madhështor dhe të krijojmë brenda nesh bindjen që mund të arrijmë deri në fund”, tha ai.

“Tensioni do të vijë në rritje, por ne do ta transformojmë atë në energji pozitive. Do kisha preferuar ta luanim këtë ndeshje në Romë, kjo është e sigurt, por shpresojmë të përjetojmë një tjetër mbrëmje fantastike për të gjithë Italinë”. Jorginho shndërroi në gol penalltinë vendimtare në gjysmëfinalen me Spanjën, moment të cilin Chiellini e shijoi i bashkuar me Manuel Locatellin.

Në fund edhe një koment në lidhje me bisedën e kryer me Jordi Alba përpara goditjeve të penalltive.

“Unë e përqafova Locatellin nga penalltia e parë në të fundit, ishte i dëshpëruar që humbi penalltinë e vet. Qëndruam të përqafuar gjatë gjithë kohës, duke ndarë me njëri-tjetrin gjëra që do të mbeten gjatë gjithë jetës brenda nesh”.

“Në fund ishte një përqafim çlirues, sigurisht që lotët nuk munguan”.

“Jordi Alba? Është folur shumë për këtë çështje, por nuk ishte asgjë e veçantë. Arbitri na tha ne duhet të zgjidhnim, e kuqja do të ishte në njërën anë, bluja në anën tjetër. Jordi Alba ndoshta u hutua disi, ndërsa unë i thashë që do kualifikoheshim ne. Bëj shaka, por unë mendoj se skuadra jonë ka bërë një Europian të jashtëzakonshëm. Nëse jemi këtu është falë të gjithëve dhe një kuzhinier të madh që ka mundur t’i japë dozën e duhur gjithçkaje”, përfundon Chiellini.

(Kosova Sot Online )