“Hani më shumë pasta” – Bonucci tallet me anglezët pas triumfit të Italisë në Euro 2020

  • G.G /
  • 12 July 2021 - 12:22
“Hani më shumë pasta” – Bonucci tallet me anglezët pas triumfit të Italisë në Euro 2020

Leonardo Bonucci është tallur me tifozët anglezë, pasi Italia i mposhti tre luanët 3:2 në penallti në finalen e Kampionatit Evropian 2020 të dielën.

Ndeshja u mbyll baras 1:1 pas 90 minutave të rregullt, me Bonuccin që e kishte barazuar rezultatin kah mesi i pjesës së dytë, pasi Luke Shaw e kishte kaluar Anglinë në epërsi paraprakisht në pjesën e parë.

Italia po humbiste edhe në penallti para se Marcus Rashford ta godiste shtyllën dhe Gigi Donnarumma t’i priste goditjet e Jadon Sanchos dhe Bukayo Sakas nga pika e bardhë.

Derisa po sillej nëpër fushë duke festuar, Bonucci i talli tifozët anglezë duke bërtitur: “Më shumë pasta! Ne duhet të hamë më shumë pasta!”

Më pas, ai e kapi kamerën dhe bërtiti: “Po kthehet në Romë”, duke iu referuara sloganit të tifozëve të tre luanëve “Po kthehet në shtëpi”.

Ky ishte triumfi i dytë i Italisë në Euro dhe i pari pas 53 vjetëve. 

(Kosova Sot Online)