Messi: Zoti po e ruante këtë moment për mua

  • A.P /
  • 12 July 2021 - 16:10
Messi: Zoti po e ruante këtë moment për mua

Ylli argjentinas ka shkuar në qiellin e shtatë pas triumfit me Argjentinën në Copa America. Flet për triumfin historik në Brazil

Lionel Messi është duke e festuar ende trofeun e parë që e fitoi me Argjentinën. Ylli argjentinas më në fund e theu tabunë dhe e fitoi Copa American me shtetin e tij. Argjentinasit e mposhtën Brazilin në finale në fundjavë dhe Messi u zgjodh lojtari më i mirë i turneut. Dhe, 34 vjeçari i është falënderues Zotit për këtë triumf

“Më duhej ta thyeja thënien e famshme se nuk kam fituar kurrë asgjë me ekipin kombëtar. Kam qenë shumë afër disa herë dhe e dija se dikur do të ndodhte. I jam mirënjohës Zotit që ma dhuroi këtë moment kundër Brazilit në finale dhe në shtëpinë e tyre. Mendoj se Zoti e ka ruajtur këtë moment për mua”, deklaroi gjashtë herë fituesi i Topit të Artë.

Argjentina e fitoi Copa American për herë të parë që nga viti 1993. Dhe, falë Messit me shokë, kësaj pritjeje i erdhi fundi. “Është çmenduri. Nuk mund ta shpjegoj lumturinë që e ndiej. Sa shpesh më është dashur të largohem i mërzitur. Por, e dija se një ditë do të ndryshonte kjo. Ky grup e meritoi këtë, është diçka speciale. E kam ëndërruar këtë disa herë. Ia dedikoj familjes sime, gruas, fëmijëve, prindërve, vëllezërve e motrave. Ata kanë vuajtur sa unë në të kaluarën”, përfundoi Messi.

Ai u zgjodh lojtari më i mirë i Copa Americas pas paraqitjeve fantastike. Ylli i Barcelonës synon të jetë i suksesshëm me Argjentinën edhe në Botërorin 2022. 

(Kosova Sot Online)