Chiellini thotë se e mallkoi Sakan para penalltisë vendimtare në finale të Euro 2020

  • S.A /
  • 14 July 2021 - 12:39
Chiellini thotë se e mallkoi Sakan para penalltisë vendimtare në finale të Euro 2020

Kapiteni i Italisë Giorgio Chiellini ka thënë se kishte mallkuar Bukayo Sakan para se adoleshenti i Anglisë ta gjuante dhe ta humbiste penalltinë vendimtare në finalen e Euro 2020 të dielën.

Goditja e Sakas nga pika e bardhë u ndalë nga portieri Gianluigi Donnarumma dhe Italia e fitoi trofeun evropian pasi ekipet ishin ndarë baras 1:1 gjatë 120 minutave lojë.

Pak para se Saka ta gjuante penalltinë, Chiellini bërtiti “Kiricocho!” – një fjalë e cila është përdorur nga futbollistët me dekada të tëra për t’i uruar fat të keq kundërshtarit.

Duke iu përgjigjur pyetjeve nga ESPN, Chiellini tha në italisht: “Përshëndetje Christian, mund të konfirmoj çdo gjë! Kiricocho!”

Një video e UEFA-s po ashtu e shfaq qartë mbrojtësin veteran duke bërtitur “Kiricocho” pak para se Donnarumma t’ia mbronte penalltinë Sakas për t’ia fituar Italisë titullin e dytë evropian. 
Çka është mallkimi Kiricocho?

Juan Carlos “Kiricocho”, apo Quaricocho sipas disa versioneve të tjera të këtij tregimi, ishte një tifoz i flakët i klubit argjentinas, Estudiantes de la Plata, gjatë viteve 1980-ta.

Tifozi madje i kishte përcjellë shumë seanca stërvitore të klubit, por trajneri i Estudiantes Carlos Bilardo kishte filluar ta vërente së lojtarët e tij lëndoheshin në mënyrë misterioze sa herë që Kiricocho ishte i pranishëm.

Bilardo, thotë legjenda, i kishte thënë Kiricochos të shkonte për t’i përcjellë seancat stërvitore të rivalit të Estudiantes, me shpresën që ai do t’i përdorte fuqitë e tij mbinatyrore për ta ndihmuar e jo për ta dëmtuar ekipin e tij.

“Kiricocho ishte një fëmijë nga La Plata i cili ka qenë me në gjithmonë dhe që prej atij viti (1982) ne kemi qenë kampionë”, kishte thënë Bilardo një kohë.

Legjenda e Kiricochos është shpërndarë nëpër botën e futbollit që prej asaj kohe dhe lojtarët tani e përdorin këtë fjalë kohë pas kohe për t’i mallkuar kundërshtarët.

 


(Kosova Sot Online )