Robben e njofton pensionimin nga futbolli në moshën 37-vjeçare

  • A.P /
  • 15 July 2021 - 16:19
Robben e njofton pensionimin nga futbolli në moshën 37-vjeçare

Ish-ylli i Bayern Munich dhe Holandës, Arjen Robben, e ka njoftuar pensionimin nga futbolli profesionist në moshën 37-vjeçare.

Robben i kishte varur këpucët në gozhdë paraprakisht në vitin 2019 pas sezonit të tij të fundit në Bayern, por e kishte ndërruar mendjen papritmas dhe ishte kthyer në futboll një vit me vonë te Groningen, te klubi ku e kishte nisur karrierën në vitin 2000.

Megjithëse klubi i Eredivisie i ofroi atij mundësi për të nënshkruar kontratë të re njëvjeçare në fillim të kësaj vere, Robben vendosi të largohet përfundimisht nga futbolli pas një sezoni plot lëndime.

Robben e njoftoi pensionimin përmes një komunikate zyrtare në rrjetet sociale, ku iu drejtua me një mesazh edhe tifozëve të vet.

“Të dashur miq të futbollit, kam vendosur t’i jap fund karrierës sime aktive në futboll. Vendim shumë i vështirë”, shkroi Robben në Twitter.

Ai shtoi: “Dua t’i falënderoj të gjithë për mesazhet e ngrohta mbështetëse. Gjithë të mirat, Arjen”. 

(Kosova Sot Online)