Allegri nis punën me një lajm të keq, Arthur disa muaj jashtë

  • A.P /
  • 15 July 2021 - 22:36
Allegri nis punën me një lajm të keq, Arthur disa muaj jashtë

Ka nisur Allegri-bis te Juventusi, me trajnerin që pas dy sezoneve pushim, u rikthye sërish te bardhezinjtë torinezë, aty ku fitoi plot 5 tituj kampion radhazi në periudhën 2014-2019 dhe për më tepër, ia doli të luajë edhe dy finale të Ligës së Kampionëve.

Grumbullimi zyrtar nisi që ditën e mërkurë, me futbollistët dhe stafin teknik që iu nënshtruan testeve mjekësore, ndërsa pasditen e sotme skuadra zbriti në fushë për t’u vënë nën urdhrat e Allegrit dhe ndihmësve të tij.

 

“Fillojmë sot. Dua entuziazëm dhe dëshirë për të punuar e luajtur futboll”, tha Allegri në fjalët e para me futbollistët, një pjesë të të cilëve i ka stërvitur edhe më herët, ndërsa në anë të fushës stërvitore ishin edhe drejtuesit më të lartë të bardhezinjve si Nedved e Cherubini.

Megjithatë entuziazmi i Allegrit është zbehur shpejt, pasi mjekët e klubit i kanë komunikuar se mesfushori brazilian Arthur ka një problem në këmbën e djathtë dhe do të duhet të kryejë një operacion për t’u rikuperuar.

Arthur ka disa muaj që vuan nga një problem në këmbën e djathtë, por tani u venitën shpresat për ta kaluar pa operacion, teksa ndërhyrja pritet të kryhet brenda kësaj jave dhe rikuperimi pritet të marrë të paktën dy muaj kohë.

(Kosova Sot Online)