“Vallëzo tani” – Mina i përgjigjet Messit për thumbimin që ia bëri në Kupën e Amerikës

  • E.K /
  • 20 July 2021 - 11:25
 “Vallëzo tani” – Mina i përgjigjet Messit për thumbimin që ia bëri në Kupën e Amerikës

Mbrojtësi i Kolumbisë, Yerry Mina, ka këmbëngulur se nuk mban aspak inat ndaj ish-bashkëlojtarit të vet te Barcelona, Lionel Messi, pavarësisht se argjentinasi e kishte thumbuar gjatë Kupës së Amerikës 2021.

Kah fundi i ndeshjes gjysmëfinale mes Kolumbisë dhe Argjentinës në korrik gjakrat u nxehën tej mase, me Messin dhe portierin Emiliano Martinez që e thumbuan me fjalë mbrojtësin e Evertonit.

Argjentina e fitoi takimin me penallti dhe pastaj edhe finalen kundër Brazilin, për ta ngritur lart në qiell trofeun e parë në Kupën e Amerikës pas plot 28 vjetëve.

Mina e theu heshtjen për herë të parë që prej atij rasti dhe këmbënguli se e respekton Messin.

“Ajo që ndodhi me Leon është diçka që mund të ndodhë në çdo çast, ky është futbolli”, shpjegoi Mina gjatë një ngjarjeje bamirësie në vendlindjen e tij Guachene.

“Jeta sillet rreth, gjithmonë ta ofron një mundësi të dytë, por unë jam i qetë sepse unë e di se Leo është njeri i madh”, shtoi ai.

“Vallëzo tani”

Mina u thumbua nga Messi dhe Martinezi para dhe pas penalltisë vendimtare të cilën e humbi.

“Vallëzo tani, jepi, vallëzo tani”, i kishte bërtitur Messi Minas para se të gjuante nga pika e bardhë, duke iu referuar vallëzimit tallës të Minas pas penalltisë që e kishte shënuar kundër Uruguait në çerekfinale.

Pavarësisht këtij incidenti, Mina shprehu admirim të madh për Messin. “E takova atë në Barcelonë dhe e falënderoj për përkrahjen që ma ka dhënë. Gjithmonë do ta respektoj”, shtoi ai.

“E adhuroj Messin për atë se si është, në atë kohë ne të dy po i mbronim ekipet tona kombëtare”, nënvizoi ai.

(Kosova Sot Online)