Dalin pamje të reja nga përplasja e frikshme 290kmh mes Hamiltonit dhe Verstappenit

  • S.A /
  • 22 July 2021 - 09:27
Dalin pamje të reja nga përplasja e frikshme 290kmh mes Hamiltonit dhe Verstappenit

Përplasja mes Lewis Hamiltonit dhe Max Verstappenit në Garën për Çmimin e Madh të Britanisë të dielën ishte tejet e frikshme dhe ka mundur të kishte pasoja shumë më të mëdha tregojnë pamjet e reja nga këndi i spektatorëve.

Verstappen dhe Hamilton u përplasën në rrethin e parë të garës, në një luftë të nxehtë për titull këtë vit në Formula 1, me liderin Verstappen që përfundoi jashtë garës dhe në spital si pasojë.

Ndërsa Hamilton, megjithëse u dënua me 10 sekonda dhe e rinisi garën nga vendi i katërt si pasojë, ia doli ta fitojë Çmimin e Madh të Britanisë dhe ta ngushtojë epërsinë e holandezit në krye të renditjes së përgjithshme të shoferëve.

Verstappen e kaloi natën pas garës në spital për kontrolle siguri dhe tani është rikthyer në shtëpi për ta rimarrë veten. Ai shpëtoi pa ndonjë lëndim serioz por pamje të publikuar së fundmi tregojnë sesa e frikshme ishte përplasja dhe se pasojat kanë mundur të ishin më serioze.

Shtatë herë kampioni i Formula 1 nga Britani e mohoi pas garës të ketë bërë ndonjë gabim për ta shkaktuar aksidentin, duke e quajtur Verstappenin vozitës agresiv.

“Unë isha i pari para përplasjes. Unë isha plotësisht brenda, isha në linjën time dhe ai u kthye kah unë”, tha Hamilton.

“Unë gjithmonë përpiqem të jem i matur sesi qasem, veçanërisht kur bëj betejë me Max, ai është shumë agresiv. Sot isha plotësisht përkrah tij dhe ai nuk lejoi aspak hapësirë”, shtoi ai.

Paraprakisht, Verstappen e kishte akuzuar Hamiltonin për mungesë respekti dhe mungesë së sjelljes sportive, në një reagim në rrjetet sociale nga spitali.

“Jam i shumë zhgënjyer që u nxora nga gara kështu”, tha Verstappen.

“T’i shohësh festimet derisa je në spital është mungesë respekti dhe sjelljeje sportive.. por ecim përpara”, shkroi ai në Twitter.

 “Dënimi që iu dha atij nuk na ndihmon neve dhe nuk është i drejtë duke e ditur lëvizjen e rrezikshme që e bëri Lewisi në pistë”, theksoi Verstappen.

(Kosova Sot Online )