Pamje: Ylli i Manchester Unitedit shënon gol të paparë që po e çmend internetin

  • S.A /
  • 29 July 2021 - 09:15
Pamje: Ylli i Manchester Unitedit shënon gol të paparë që po e çmend internetin

Andreas Pereira e ka shënuar një gol magjik, i cili po e bën xhiron e botës nëpër rrjetet sociale, në barazimin e Manchester Unitedit 2:2 kundër Brentfordit të mërkurën mbrëma.

Unitedi i ka nisur përgatitjet parasezonale, edhe pse pa shumicën e lojtarëve të ekipit të parë, shumica e të cilëve garuan në Euro 2020 gjatë verës.

Në mungesë të tyre, trajneri  Ole Gunnar Solskjaer pati mundësi t’i shohë nga afër disa prej lojtarëve që nuk i kishte në dispozicion sezonin e kaluar, të cilët ishin të huazuar në ekipe të tjera.

Njëri prej tyre është Pereira, i cili në të kaluarën ishte njëri prej shpresave më të mëdha të Unitedit, por zhvillimi i tij në skenën më të madhe e mori tatëpjetën.

Ai e kaloi sezonin e kaluar në klubin italian Lazio në Serie A, duke e shënuar një gol në 33 paraqitje.

Por goli i tij ndaj ekipit të sapopromovuar në Premierligë, Brentford, në miqësoren e djeshme mund t’ia ndryshojë mendjen Solskjaerit.

Një top i larguar nga zona e Brentfordit shkoi te Pereria, i cili nuk e lejoi atë të bjerë në tokë fare dhe e goditi me të parën me vollei nga rreth 30 metra largësi. Topi përfundoi brenda rrjetës me ndihmën e shtyllës horizontale. 

(Kosova Sot Online )