“Shpresoj se Zoti do t’i falë këta njerëz të këqij” – Adriano e mbron gjimnasten amerikane Biles

  • S.A /
  • 29 July 2021 - 13:18
“Shpresoj se Zoti do t’i falë këta njerëz të këqij” – Adriano e mbron gjimnasten amerikane Biles

Ish-sulmuesi i Interit dhe Brazilit, Adriano, i ka dërguar mesazh mbështetës Simone Biles, e cila u tërhoq nga Lojërat Olimpike Tokio 2020 për shkak të problemeve me shëndetin mendor.

Biles, gjimnastja amerikane dhe katër herë fituesja e medaljes së artë olimpike, u tërhoq nga Tokio 2020 këtë javë për shkak të problemeve me shëndetin mendor. “Ne duhet t’i mbrojmë mendjet dhe trupat tanë dhe jo thjesht të dalim në arenë dhe ta bëjmë atë që bota dëshiron që ne ta bëjmë. Ne nuk jemi vetëm atletë, jemi njerëz në fund të fundit”, kishte theksuar 24-vjeçarja pas tërheqjes, e cila është gjimnastja më e suksesshme amerikane.

Vendimi i saj ka nxitur reagime të përziera në gjithë botën por Adriano është në mesin e atyre që e kanë mbrojtur atë në rrjetet sociale. “E di saktësisht se nëpër çfarë po kalon ti. Nuk është e drejtë se njerëzit po të gjykojnë kaq ashpër. Thjesht ji e lumtur dhe kujdesu për veten”, shkroi Adriano në rrjetin social Twitter. “Edhe unë kam kaluar nëpër këtë dhe ende e pyes veten pse dhe çka ndodhi. Shpresoj që zoti do t’i falë këta njerëz të këqij”, shtoi ai.

Adriano ishte vetëm 22 vjeç në vitin 2004 kur i vdiq babai nga sulmi në zemër. Ai ishte njoftuar për vdekjen e babait gjatë përgatitjeve parasezonale me Interin.

Ai ishte ndër sulmuesit më premtues dhe më të frikshëm në botë atë kohë, por humbja e babait kishte ndikuar në shëndetin e tij mendor dhe Adriano nuk ishte më i njëjti.

“Vdekja e babait tim e la një boshllëk të madh brenda meje. Isha i vetmuar, i dëshpëruar dhe në depresion në Itali prandaj fillova të pi. Nuk dija si ta fshihja sepse isha i dehur edhe në stërvitje”, zbuloi Adriano kohë më parë. 

(Kosova Sot Online )