Prishtina e mëson kundërshtarin e mundshëm në play-off për Europa Conference League

  • G.G /
  • 02 August 2021 - 15:18
Prishtina e mëson kundërshtarin e mundshëm në play-off për Europa Conference League

Prishtina do të përballet me fituesin e duelit Mura – Zalgiris Vilnius në play-off për kualifikim në Europa Conference League, nëse ia del ta mposhtë Bodo Glimtin në rrethin e tretë.

Kampionia e Kosovës Prishtina do të kërkojë ta shkruajë historinë duke u bërë ekipi i parë kosovar që e siguron pjesëmarrjen në fazën grupore të një gare evropiane.

Për ta arritur këtë, bardhekaltrit duhet fillimisht ta mposhtin kampionin norvegjez Bodo Glimt në rrethin e tretë kualifikues dhe pastaj ta fitojnë edhe duelin e play-off’it.

Ndeshja e parë kundër Glimt në rrethin e tretë kualifikues do të zhvillohet të enjten në Prishtinë, ndërsa ajo e kthimit në Norvegji pas një jave.

Nëse e kalon këtë rreth, Prishtina do ta ketë vetëm edhe një pengesë për ta shkruar historinë, duelin e play-off’it.

Në play-off ajo do të përballej me fituesin e duelit mes Mura dhe Vilnius. Play-off’i është rrethi i fundit para kualifikimit në fazën grupore të garës së kategorisë së tretë të futbollit evropian.

Ndeshjet e play-off’it zhvillohen më 19 dhe 26 gusht.

(Kosova Sot Online)