Egzon Shala e synon medaljen e tretë të Kosovës në Olimpiadë

  • G.G /
  • 04 August 2021 - 12:56
Egzon Shala e synon medaljen e tretë të Kosovës në Olimpiadë

Mundësi kosovar ka qenë i pafat në short, por do të mundohet ta gëzojë prapë me medalje Kosovën pas të artave të Distria Krasniqit dhe Nora Gjakovës. Ai do të garojë të enjten nga ora 04:42 me kohën tonë lokale

Egzon Shala do ta mbyllë eksperiencën e Kosovës në Lojërat Olimpike. Mundësi kosovar është garuesi i 11-të dhe i fundit i “Dardanëve” në “Tokyo 2020”. Shala do të garojë të enjten nga ora 04:42 e mëngjesit me kohën tonë lokale.

Ai do të përballet me algjerianin Djahid Barrahal në kategorinë deri në 125 kilogramë. Garuesi kosovar e ka konsideruar shortin si mjaft të vështirë, por ka shtuar se kjo nuk do ta ndalojë atë që të kërkojë medalje olimpike. Shala ka premtuar se do ta japë maksimumin për ta siguruar medaljen e tretë të Kosovës në Tokio.

Paraprakisht, medalje të arta kishin fituar xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova. Shala është njëri nga gjashtë sportistët e Kosovës që ka shkuar në Olimpiadë me normë olimpike. Ai kishte përfunduar në vendin e pestë të Kampionatit Botëror “Astana 2019”. Kosova po merr pjesë në Olimpiadë me 11 garues. 

(Kosova Sot Online)