Sezoni i ri i basketbollit kosovar fillon me garat e Superkupës

  • G.G /
  • 04 August 2021 - 14:06
Sezoni i ri i basketbollit kosovar fillon me garat e Superkupës

Edicioni i ri në basketbollin e Kosovës pritet të jetë shumë i ngjeshur me aktivitete. Pas një edicioni jo shumë të lehtë, për shkak të pandemisë me Covid-19, megjithatë të mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme, Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës ka marrë vendim për fillimin e edicionit të ri.

Ky edicion do të hapet me garat e Superkupës në konkurrencën e meshkujve, që pritet të jenë shumë interesante, njofton Federata e Basketbollit të Kosovës. Superkupa do të mbahet nga 1 deri më 5 shtator, kurse për vendin se ku do të organizohet, Bordi i FBK-së do të vendosë javën e ardhshme.

Garat do të vazhdojnë menjëherë, me edicionin e ri në Prince Caffe Superligë, që fillon më 8/9 Shtator dhe pritet të jetë mjaft konkurrues. Edicioni i ri pritet të jetë mjaft interesant edhe në basketbollin e femrave, ndërsa Bordi i FBK-së vendosi që afati kalimtar për lojtare të jetë i hapur deri më 27 Gusht në ora 16:00. 

(Kosova Sot Online)