Conference League: Prishtina e pret kampionin norvegjez, e vetëdijshme se s’guxon të gabojë më

  • S.A /
  • 05 August 2021 - 10:10
Conference League: Prishtina e pret kampionin norvegjez, e vetëdijshme se s’guxon të gabojë më

Prishtina do të kërkojë ta krijojë një epërsi komanduese në ndeshjen e parë të rrethit të tretë kualifikues në Europa Conference League, kur të përballet me Bodo/Glimt në kryeqytetin kosovar.

Prishtina do ta presë kampionin norvegjez përballë rreth tre mijë shikuesve në Stadiumin Fadil Vokrri sot në orën 20:00.

Ndeshja e kthimit zhvillohet pas një jave në Norvegji dhe fituesi kalon në play-off, i cili është rrethi i fundit që siguron pjesëmarrjen në fazën grupore të garës së kategorisë së tretë në futbollin evropian.

Prishtina do ta shkruante historinë nëse e arrin play-off’in duke u bërë klubi i parë kosovar që arrin kaq larg në kualifikime për një garë evropiane.

Por bardhekaltrit kanë shumë punë për të bërë për ta arritur këtë dhe duhet t’i shmangin gabimet që në rrethin e dytë kanë mundur t’i kushtonin shumë kundër Connah’s Quay, klubit uellsian të cilin e mundi 6:5 pas dy ndeshjeve.

Për këtë është i vetëdijshëm trajneri i Prishtinës Zekirija Ramadani, i cili tha para ndeshjes se ekipi i tij ka marrë mësim nga takimi me Connah’s Quay.

“Skuadra kundërshtare është shumë e disiplinuar dhe taktikisht e fortë, neve kemi marrë mësim nga takimi i fundit në Uells dhe e dimë mirë se çfarë rëndësie ka secila ndeshje në këtë nivel garash, ne gjithashtu presim mbështetjen maksimale nga tifozët tanë të flaktë ‘Plisat’, të cilët sigurisht do të jenë të pranishëm në numër të madh”, tha Ramadani.

Prishtina përfundoi në kualifikime për Europa Conference League, pasi pësoi disfatë qysh në ndeshjen e parë kualifikuese për garën më prestigjioze evropiane, Ligën e Kampionëve.

(Kosova Sot Online )