Laçi dhe Teuta synojnë ta shkruajnë historinë

  • S.A /
  • 05 August 2021 - 10:58
Laçi dhe Teuta synojnë ta shkruajnë historinë

Laçi gati për t’i dhënë më tepër bukuri përrallës europiane që po përjetojnë kurbinasit nën drejtimin e Shpëtim Duros. Pasi bënë historinë, duke u kualifikuar për herë të parë në raundin e tretë të një kompeticioni europian, bardhezinjtë nuk duan të ndalen dhe me besimin se mrekullitë, edhe pse rrallë ndodhin, shikojnë me optimizëm drejt sfidës me Anderlechtin.

Natyrisht është një kundërshtar i një tjetër niveli, përfaqëson skuadrën më të suksesshme të Belgjikës në kompeticionet europiane, klub me tjetër histori, organizim, dhe një skuadër që në total vlen diku të 100 milionë euro, dhe që drejtohet nga një emër i njohur si Vincent Kompany. Emra dhe shifra për të bërë të kuptohet hendeku i madh mes dy realiteteve, por futbolli është i bukur pikërisht për shkak të surprizave dhe te Laçi ëndërrojnë të bëjnë një të tillë si ajo e Davidit kundër Golias.

Natyrisht, aspekti pozitiv për kurbinasit është se kanë përmbushur pritshmëritë dhe tani gjithçka përballë një kundërshjtari kaq të fortë është një bonus, por në kampin e Shpëtim Duros janë të vendosur për të dhënë maksimumin, për të provuar çdo shans që ekziston për të tentuar “play off”-in.

Arma e fortë natyrisht grinta dhe besimi i një grupi të gatshëm për të vënë shpirtin në fushë, për të mos u dorëzuar kurrë, si në kualifikimin ndaj Podgoricës, apo të aftë edhe për të vuajtur për të shijuar triumfin, siç bënë në ndeshjen e kthimit me Craiovën, ndaj dhe do të jetë një ndeshje e tëra për të mos u humbur, që si çdo event i rëndësishëm, do të mund ta ndiqni drejtpërsëdrejti nga “Elbasan Arena”, këtë të enjte, në orën 19.00.

Reklamë

Laçi në këtë sfidë do të mund të mbështetet edhe të përkrahja e tifozërisë, në një sfidë të destinuar për të mbetur në historinë e futbollit kurbinas. Shpëtim Duros ndërkohë i duhet të bëjë në fushë pa Julian Shehun, mungesë e rëndësishme, i spikatur si një ndër lojtarët kyç të formacionit dhe me shumë mundësi boshllëkun e krijuar do ta mbushë një prej Qatos apo Zulfiut, edhe Mentor Mazrekaj është në dyshim ndërkohë që pjesa tjetër se skuadrës pritet të jetë ajo që luajti në përballjen e fundit me Universitatean, natyrisht duke kryqëzuar gishtat që të ketë të njëjtin sukses.

Edhe pak orë e ndajnë Teutën e Edi Martinit nga përballja ndaj Shamrock Rovers. Një përballje që pa diskutim mund të cilësohet e vështirë, por edhe një ndeshje në të cilën krahas përkushtimit të skuadrës, ndoshta dhe me pak fat, mund të sigurohet një sukses.

Fakti që ndeshja e parë luhet në transfertë mund të konsiderohet edhe një faktor pozitiv për Teutën në rast se arrin një rezultat pozitiv ose qoftë edhe një barazim, por mund të ndodhë edhe e kundërta. Nga ajo që është praktikuar gjatë javës, Teuta mund ta nisë sfidën me rreshtimin 4-4-1-1.

Më Frashërin në portë dhe në mbrojtje Todorosvski, Dragarski, Arapi dhe Kotobelli. Vila, Daja, Karabeci, Jackson në mesfushë, ndërsa në sulm Seferi. Aleksi i pezulluar për shkak kartonësh, ndërsa Plaku vuan nga një dëmtim i lehtë. Gjithsesi, panorama do të jetë më e qartë pas seancën së fundit stërvitore.

Do të duhet, pa dyshim, një rezultat pozitiv për të mundësuar kualifikimin në ndeshjen e kthimit që do të luhet në “Elbasan Arena”, pasi “Niko Dovana” nuk përmbush më kriteret për ndeshjet e këtij niveli në Evropë. Për të motivuar edhe me shumë ekipin, drejtuesit e klubit, në rast kualifikimi, kanë premtuar premio në shumën e 150 mijë eurove.

Publiku shqiptar do të ketë mundësi ta ndjekë ekskluzivisht sfidën në ekranin e SuperSportit. Në Durrës, duan që kjo verë europiane të zgjasë sa më shumë, ndaj kërkojnë të luajnë të gjitha shanset e tyre në duelin e dyfishtë me irlandezët. Ne futbollin e ditëve të sotme asgjë nuk është më e pamundur.

(Kosova Sot Online )