Erikseni e zbulon datën e rikthimit në fushë, thotë se ishte me fat

  • G.G /
  • 05 gusht 2021 - 12:27
Erikseni e zbulon datën e rikthimit në fushë, thotë se ishte me fat

Christian Erikseni ua ka bërë të ditur bashkëlojtarëve të vet te Interi se do të rikthehet në fushën e lojës pas katër apo pesë muajve, pas arrestit kardiak që e pësoi në qershor.

Mesfushori i Danimarkës Erikseni i vizitoi bashkëlojtarët e vet në qendrën stërvitore të Interit të mërkurën.

Ajo ishte vizita e tij e parë që prej arrestit kardiak që e pësoi në ndeshjen hapëse të Danimarkës në Kampionatin Evropian 2020 më 12 qershor.

Sipas gazetës italiane Il Corriere dello Sport, Erikseni i përmbajti lotët kur i takoi shokët e ekipit dhe iu tha atyre se ndihej me fat.

Ai po ashtu zbuloi para tyre se do të rikthehet në fushë pas katër apo pesë muajve, sipas të përditshmes italiane.

Eriksenit i është vendosur një Defibrilatori kardioverter i Implantueshëm (ICD) në zemër, një aparat për kontrollimin e ritmit të të rrahurave të zemrës që mund të jetë vendimtar për të ardhmen e tij në futboll.

Interi njoftoi dje se 28-vjeçari do ta nisë një program riaftësues në Kopenhagë.

“Ai do ta ndjekë një program riaftësues të përpiluar nga mjekët danezë në Kopenhagë. Stafi mjekësor i Interit do të mbahet i njoftuar për ditë për gjendjen e tij”, thuhet në njoftim. 

(Kosova Sot Online)