Nga basti me akullore te dieta dhe origjina italiane, ja sekretet e Leo Mesit

  • G.G /
  • 11 August 2021 - 10:52
Nga basti me akullore te dieta dhe origjina italiane, ja sekretet e Leo Mesit

U prek dhe preku të tjerët. Lionel Mesi u përshëndet me Barcelonën me një konferencë historike për shtyp të dielën. “Përgjysmova rrogën dhe zgjata kontratën, por nuk mjaftoi. Do të doja një ditë një lamtumirë me stadium plot, për këta njerëz do të bëja gjithçka”. Sulmuesi argjentinas largohet nga Spanja pas 21 vitesh suksese dhe në Paris merr me vete edhe një valixhe me “sekrete”.

DIETA – Nutricionisti italian Xhuliano Poser ka revolucionarizuar ushqyerjen e tij. Ai i këshilloi pesë ushqime bazë: ujë, vaj ulliri, drithëra integrale, fruta dhe perime të freskëta. Lejohen arrat dhe një sasi e reduktuar sheqeri, por jo vetëm. Si shumë nutricionistë të cilët punojnë me sportistët, Poser i këshilloi që të mos e ekzagjerojë me konsumin e mishit, një ushqim i dashur në Amerikën e Jugut dhe Spanjë.

“Sasia e mishit që konsumohet normalisht nga argjentinasit dhe uruguaianët është e tepruar, sepse është e vështirë të tretet”, tha Poser. Pjatat e tij të preferuara? Pulë e pjekur me perime dhe kotëleta mileneze e gatuar mundësisht nga mamaja. Sidoqoftë, ai kaloi nga një regjim ushqimor thuajse vegan, pas problemeve me tretjen dhe të vjellat që i përsëriteshin në disa ndeshje me Barcelonën apo Argjentinën.

STËRVITJA – Një kampion si ai është i detyruar të kurojë çdo aspekt të stërvitjes së tij. Mesi synon të stërvisë shpejtësinë dhe zhdërvjelltësinë. Në rutinën e tij, nuk mungojnë ushtrimet për zgjatjen e muskujve të pasmë të kofshëve apo kërcimet me pengesa. Përdor edhe skuotet e famshme për forcimin e muskujve të legenit dhe këmbëve. Për zhdërvjelltësinë përdor kërcimet me kone dhe pengesa. Në çdo stërvitje, pi shumë ujë për të ruajtur hidratimin dhe bën kros për 5-10 minuta.

FAMILJA – Mesi është baba i tre fëmijëve (Tiago 2012, Mateo 2015 dhe Çiro 2018), fryt i martesës me shoqen e fëmijërisë, Antonela Rokuco. Jo të gjithë e dinë se ai është me origjinë italiane. Gjyshi i babait të Mesit, Anxhelo Mesi, lindi në 1866 në Rekanati dhe jetoi në Montefano, provincë e Maçeratës, përpara se të nisej drejt Argjentinës.

Kur Leo feston, ngre sytë drejt qiellit, por nuk është një referim për Zotin. Ai ia dedikon Selias, gjyshes së ndarë nga jeta në 1998.

Në moshën 9-vjeçare një drejtues i klubit të tij i propozoi një bast: një akullore çdo 100 xhonglime. Një herë kaloi kuotën 1 mijë dhe fitoi 10 akullore. Mesi është një i apasioniuar i “Cumbias”, një muzikë popullore në Amerikën e Jugut. Mes këngëtarëve të tij të preferuar është një italian, Eros Ramazoti.

NDIKIMI – “Golfsupport.com” ka përpiluar listën e 20 sportistëve për të cilët është shkruar më shumë gjatë vitit të fundit (korrik 2020-qershor 2021).

Dhe askush nuk e kalon argjentinasin. 490.632 është shifra e artikujve “online” ku përmendet emri i futbollistit, gati dyfishi i yllit të basketbollit LeBron Xhejms (216.268 artikuj për basketbollistin e Los Anxheles Lejkërs). Në pod është edhe Nejmar, shoku i ardhshëm i skuadrës (171.406 artikuj) i cili lë pas Kristiano Ronaldon (145.042).

(Kosova Sot Online)