Kosova, me mungesa të mëdha në ndeshjet e shtatorit

  • G.G /
  • 12 August 2021 - 13:37
Kosova, me mungesa të mëdha në ndeshjet e shtatorit

“Dardanët” nuk do të mund të llogarisin në ndeshjet e shtatorit me Gjeorgjinë, Greqinë dhe Spanjën në Zenelin, Zhegrovën e Celinën. Gjithashtu, disa lojtarë janë pa klub dhe s’kanë vazhdimësi të ndeshjeve

Ekipi kombëtar i Kosovës do të përballet me mungesa të mëdha në ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2022, që do të luhen në muajin shtator. “Dardanët” nuk do të mund të llogarisin në tre lojtarë të rëndësishëm në duelet me Gjeorgjinë, Greqinë e Spanjën.

Në fakt, Arbër Zeneli javë më parë pësoi lëndim të rëndë dhe do të mungojë disa muaj. Më pas, Bersant Celina pati probleme shëndetësore si pasojë e COVID-it dhe do të mungojë po ashtu disa muaj.

Ndërkaq, së fundmi u lëndua edhe Edon Zhegrova, i cili u detyrua të operohej mbrëmë dhe edhe ai do të mungojë muajin tjetër. Problemet për Verdhezinjtë nuk ndalen me kaq.

Kjo pasi disa lojtarë kanë mbetur pa klub dhe kanë mungesë vazhdimësie të ndeshjeve. Po flasim për Hekuran Kryeziun, Idriz Vocën e Samir Ujkanin. Pra, Kosovën nuk po e lënë rehat mungesat e lojtarëve shkaku i lëndimeve.

Trajneri Bernard Challandes duhet ta bëjë një kombinim, duke i zëvendësuar lojtarët e lënduar me të tjerët që do t’i ketë në dispozicion. Kosova e viziton Gjeorgjinë më 2 shtator, ndërsa e pret Greqinë në “Fadil Vokrri” më 5 shtator. Më pas, “Dardanët” e presin Spanjën më 8 të muajit tjetër. 

(Kosova Sot Online)