Manchester United vs Leeds United, më shumë se një ndeshje

  • G.G /
  • 14 August 2021 - 09:46
Manchester United vs Leeds United, më shumë se një ndeshje

Premierliga vazhdon me të tjera ndeshje interesante.

Dita starton në Ishull, në orën 13:30, pikërisht me shpikësit e kësaj loje dhe sfidat do të fillojnë në “Old Trafford”, me një klasike të kampionatit anglez siç është Manchester United – Leeds. E kanë pagëzuar jo më kot si “beteja e trëndafilave”, apo “roses rivalry”, pasi gjithçka në fakt ditën e shtunë në Premier League do të nisë me derbin e famshëm United – Leeds, një rivalitet që i ka rrënjët vërtet shumë të thella, sidomos në versionin e vjetër të kompeticionit elitar në vend, në rang klubesh, First Division.

Gjithçka lidhet me historinë, për shkak të luftës nga 1455 deri në vitin 1487 ndërmjet dy qarqeve historike: Lancashire dhe Yorkshire. Në histori nuk konsiderohet aspak si një ndër luftrat më gjakatare, duke pasur parasysh që gjatë armiqësisë 32-vjeçare mes Lancasterit dhe Yorkut, numri i viktimave llogaritet të ketë qenë afërsisht 105.000 vetë, megjithatë rivaliteti i ashpër ndërmjet klubeve të Manchester United dhe Leeds United për banorët e këtyre zonave i ka fillimet pikërisht te “wars of the roses”, pra që në shekullin e 15. Dy qytetet ndahen nga thjesht 40 milje, pra 64 kilometra gjithsej, sidoqoftë, sipas Football Fans Census, pra regjistrimit të tifozëve të këtij sporti, United-i dhe Leeds-i përfaqësojnë dy nga tri ekipet me të cilat kanë në përgjithësi rivalitet fansat e skuadrave të tjera.

Historiku i përballjeve ndërmjet tyre i ka kaluar shpeshherë kufijtë e fushës në “Old Trafford” apo “Elland Road”, me sfida të dhunshme që kulmuan në vitet 70 me beteja të vërteta huliganësh ndërmjet grupimeve fanatike të tifozëve të këtyre dy klubeve Leeds United Service Crew dhe Reds Army. Edhe vetë trajneri legjendar skocez i “Djajve të Kuq” Alex Ferguson ka deklaruar vite më parë se pavarësisht rivalitetit të egër në shumë aspekte ndërmjet Manchester United dhe Liverpoolit ky “Derbi i Veriperëndimit” nuk i afrohet kurrë për nga niveli derbit tjetër United – Leeds, pra pikërisht për arsye të urrejtjes shekullore të pashpjegueshme që mbizotëron mes përkrahësve të këtyre dy klubeve.

Një start elektrizues pra për të dy këto ekipe dhe një sfidë tepër interesante në distancë ndërmjet trajnerëve Ole Gunnar Solskjaer dhe Marcelo Bielsa. “Red devils” kërkojnë të fitojnë titullin në edicionin e 123-të të kampionatit anglez, një trofe që vendasit nuk e fitojnë që nga sezoni 2012-2013. Që nga ajo kohë United është klasifikuar i dyti dy herë me Jose Mourinhon dhe pikërisht trajnerin norvegjez, që edicionin e kaluar ia doli mbanë për ta përfunduar sezonin si nënkampion me 12 pikë më pak se City i Guardiolës.

Në krahun tjetër Lidsi u rikthye në elitën e futbollit anglez për herë të parë pas 17 vjetësh dhe me trajnerin e mirënjohur argjentinas në timon “The Whites” e mbyllën sezonin në vendin e nëntë, falë katër fitoreve radhazi, 8 pikë larg vendit të katërt dhe thjesht tri pikë larg Zonës Evropiane, duke siguruar në përfundim më shumë pikë dhe shënuar më shumë gola se cdo skuadër tjetër e ngjitur nga Championship-i në dy dekadat e fundit të Premier League-s.

Edhe lojtarët më të mirë të këtyre skuadrave Bruno Fernandes e Patrick Bamford e mbyllën aventurën në Premiership pranë e pranë, respektivisht me nga 18 dhe 17 gola. “Djajtë e kuq” këtë verë janë përforcuar me Jadon Sanchon nga Dortmundi, ndërsa qendërmbrojtësi francez Raphael Varane pritet vetëm të zyrtarizohet. Ndonëse nuk ishin nën presion dhe trajneri nordik nuk kërkohej nga askush drejtuesit e United rendën me shpejtësi për t’i zgjatur kontratën edhe me tre vjet të tjera OGS, që për hir të së vërtetës nuk ka fituar asgjë në pothuajse tre vjet, pavarësisht shpenzimeve marramendëse të krerëve të klubit.

Të gjitha ndeshjet:

(Kosova Sot Online)