Reali nis sot epokën pa Ramosin e Varanen, Ancelotti i beson Hazardit dhe Bale

  • G.G /
  • 14 August 2021 - 10:06
Reali nis sot epokën pa Ramosin e Varanen, Ancelotti i beson Hazardit dhe Bale

La Liga startoi mbrëmjen e djeshme me sfidën Valencia-Getafe, derisa sot do të zhvillohen disa ndeshje tjera.

Kështu në orën 22:00 do të bëjë debutimin zyrtar sezonal edhe Real Madridi, që vjen me jo pak ndryshime, pasi ia ka besuar pankinën italianit Carlo Ancelotti, i cili vjen për herë të dytë në stolin e Los Blancos, por me objektiva të njëjtë, të fitojë sa më shumë.

Madrilenët do të udhëtojnë në transfertë ndaj Alavesit, teksa debutimi i tyre pritet me mjaft interes, pasi mungojnë dyshja titullare Ramos-Varane, të cilët janë larguar dhe mbetet të shihet si do ta zëvendësojnë mungesën e tyre Alaba me brazilianin Eder Militao.

Po me kaq interes pritet edhe performanca e dy emrave si Gareth Bale e Eden Hazard, të cilët nuk kanë lënë gjurmë te Reali vitet e fundit, por Ancelotti ka marrë përsipër t’i rikthejë sërish në nivelet më të larta.

Nga ana tjetër përballë mbetet ai Alaves modest, që sezonin e kaluar luftoi deri në javën e fundit për të siguruar mbijetesën dhe këtë mision do të ketë edhe gjatë sezonit aktual, ndaj transferta e madrilenëve shihet si lehtësisht e kalueshme, të paktën në letër.

Sfida mes Alavesit e Realit të Madridit do të startojë në orën 22:00.

(Kosova Sot Online)