Arsyetimi i Nagelsmann pas dështimit të Bayernit në start të Bundesligës

  • E.K /
  • 14 August 2021 - 13:44
 Arsyetimi i Nagelsmann pas dështimit të Bayernit në start të Bundesligës

Epoka e Julian Nagelsmann nën drejtimin e Bajernit të Mynihut nisi me një barazim 1-1 në transfertë kundër Borusia Monchengladbachut.

Trajneri 34-vjeçar analizoi ndeshjen e parë të Bundesligës duke e quajtur një takim argëtues për tifozët.

“Mendoj se ishte një ndeshje interesante, sidomos për spektatorët. Në fillim nuk e nisëm mirë, humbëm shumë topa dhe pësuam edhe gol, më pas u përmirësuam në 20 minutat e fundit të pjesës së parë dhe barazuam rezultatin. Edhe pjesën e dytë e nisëm fuqishëm dhe mund të kishim realizuar edhe dy gola të tjerë, por nuk ia dolëm”, deklaroi Nagelsmann.

Tekniku nuk i kurseu edhe kritikat ndaj skuadrës, sidomos në lidhjen me vendosjen në çaste të caktuara të ndeshjes, sepse gabimet e kryera në pozicionim i kushtuan edhe golin e pësuar.

“Vendosja duhet të jetë më e mirë në mënyrë që të kemi më shumë shanse për të ndalur sulmet e kundërshtarëve. Nëse do na jepet pak kohë jam i sigurt që do ta përmirësojmë këtë aspekt”, u shpreh tekniku bavarez.

Nagelsmann i cili këtë verë morri drejtimin e kampionëve të Gjermanisë është kritikuar nga tifozët jo vetëm për shkak të rezultateve jo të mira në ndeshjet përgatitore, sidomos pas humbjeve me Napolin e Kelnin, por edhe për faktin se si futbollist u rrit në sistemet zinxhir të Munchen 1860 duke qenë edhe kapiteni i skuadrës së 17-vjeçarëve.

(Kosova Sot Online)