Ancelotti thotë se Bale dhe Hazard s’e kanë vendin e sigurt në ekipin e parë të Real Madridit

  • 23 August 2021 - 15:40
Ancelotti thotë se Bale dhe Hazard s’e kanë vendin e sigurt në ekipin e parë të Real Madridit

Carlo Ancelotti ka thënë se nuk mund të garantojë se Eden Hazard dhe Gareth Bale do të jenë titullarë të rregullt në ekipin e Real Madridit këtë sezon, pasi synimi i tij është të bëjë rrotacione në sulm derisa ta gjejë formulën e fitoreve.

Hazardi ende nuk e ka gjetur formën e vet më të mirë në futbollin spanjoll dhe bashkë me Bale, i cili e kaloi sezonin e fundit në huazim te Tottenhami, janë në mesin e sulmuesve që luftojnë për vende titullari në Santiago Bernabeu.

Bale ka dhënë sinjale pozitive në ndeshjet e para të sezonit 2021/22 – duke e shënuar golin e parë për Realin pas gati dy vjetëve në barazimin 3:3 me Levanten – por Karim Benzema, Luka Jovic, Rodrygo dhe Vinicius Junior janë te etur po ashtu për një vend në ekipin e trajnerit italian.

I pyetur për opsionet në sulm dhe si mund të duket sulmi i tij, Ancelotti tha se nuk e di, duke e quajtur garë të fortë mes sulmuesve të tij.

“Nuk e di sa minutat do të luajnë ata. Gara në sulm është shumë e fortë”, tha Ancelotti.

“Ne kemi sulmues cilësorë si Bale, Vini, Hazard, Benzema dhe Jovic. Unë duhet ta shijoj cilësinë e tyre në fushë duke iu dhënë mundësi të luajnë atyre të cilëve e meritojnë ta kenë”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online)