Berisha e paralajmëron rikthimin në futbollin evropian

  • S.A /
  • 25 August 2021 - 14:18
Berisha e paralajmëron rikthimin në futbollin evropian

Besart Berisha i ka dhënë fund eksperiencës në futbollin australian. Sulmuesi kosovar e mbylli përvojën dyvjeçare me ekipin Western United pasi i skadoi kontrata.

36 vjeçari spekulohej se mund të rikthehej në Melbourne Victory, me të cilin e kishte fituar titullin e kampionit dy herë, por në fund ky transferim nuk u realizua.

Tash, ish-përfaqësuesi kosovar nuk e ka përjashtuar mundësinë që në fund të karrierës të luajë në futbollin evropian, me shumë gjasë në atë gjerman.

“Unë jam 36 vjeç, por ndiej se mund të luaj edhe një sezon. Unë bisedova me klube, por në fund nuk ndodhi asgjë. Kështu që, mua më duhet të mendoj për të ardhmen”, deklaroi Berisha për “The Age”.

“Ka mundësi të shkoj jashtë shtetit (Australisë) dhe nëse kjo mund të realizohet, do të doja shumë që kjo të ndodhë. Ta luaj sezonin tim të fundit aty ku nisa gjithçka (në Gjermani), për mua do të ishte speciale”, vazhdoi veterani i sulmit.

Berisha i kaloi afro 10 vjet në futbollin australian, ndërsa e pati një eksperiencë të shkurtër në Japoni.

Ai kishte shkuar në Australi në vitin 2011 dhe i kishte kaluar tri sezone në Brisbane Roar.

Ai e kishte ndihmuar këtë klub të shpallej dy herë kampion dhe kishte shënuar në dy finalet e mëdha në 2012 dhe 2014.

Më pas i ishte bashkuar klubit Melbourne Victory, ku po ashtu kishte shënuar në finalen e madhe ndaj Sydneyt në vitin 2015.

Berisha e kishte fituar titullin e katërt të kampionit në Australi në vitin 2018 para se t’i bashkohej klubit japonez, Sanfrecce Hiroshima.

Më pas u rikthye në futbollin australian në ekipin Western në vitin 2019 duke i realizuar 26 gola në 50 paraqitje në A-League.

Berisha do të largohet si golashënuesi më i mirë në histori të futbollit australian.

Ai i ka realizuar 142 gola, 38 më shumë se rivali më i afërt, Jamie Maclaren.

Krahas katër titujve të kampionit, Berisha ka fituar edhe trofe individualë gjatë eksperiencës së tij në Australi.

Ai u shpall dy herë golashënuesi më i mirë i ligës.

Berisha ka luajtur për Kombëtaren shqiptare dhe për Kosovën. 

(Kosova Sot Online )