Drita vs Llapi, Prishtina vs Ballkani, Superliga vazhdon me ndeshje interesante

  • S.A /
  • 28 August 2021 - 10:35
Drita vs Llapi, Prishtina vs Ballkani, Superliga vazhdon me ndeshje interesante

Kampioni do të sfidohet nga therandasit e fuqishëm në kryeqytet, interesant edhe në Gjilan

Xhiroja e dytë e Superligës së futbollit vjen me një ndeshje të madhe. Prishtina do të përballet me Ballkanin në derbin e fundjavës. Të dyja skuadrat janë në kërkim të fitoreve të para në sezonin e ri. Kjo pasi prishtinasit barazuan me Malishevën e therandasit me Dukagjinin, në xhiron e parë. Bardhekaltrit do të mundohen ta shfrytëzojnë përparësinë e terrenit vendës për t’i mbajtur pikët në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Por, ata do të kenë punë me skuadrën e fuqishme nga Suhareka, e cila shkon në kryeqytet për të marrë pikë. Kjo ndeshje do të luhet të dielën. E paraprakisht, të shtunën zhvillohet një tjetër duel interesant. Drita do ta kërkojë fitoren e dytë sezonale teksa e pret Llapin në Gjilan.

Nga ana tjetër, fituesi i Kupës dhe Superkupës së Kosovës e synon fitoren e parë pas barazimit me Ulpianën në nismë të sezonit.

Edhe ballafaqimi në mes të Feronikelit me Gjilanin mund të sjellë ndeshje interesante.

Në duelet tjera, Dukagjini do të mundohet t’ia bëjë sefte fitores pasi e pret Drenicën.

Kjo xhiro mbyllet me ndeshjen në mes të dy skuadrave të inkuadruara në Superligë, Ulpiana me Malishevën. 

(Kosova Sot Online )