Challandes: I pranoj kritikat, jetoj me presionin

  • G.G /
  • 30 August 2021 - 12:29
Challandes: I pranoj kritikat, jetoj me presionin

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, ka thënë se është i hapur për kritika ndaj punës së tij në ekipin kombëtar, duke këmbëngulur se i bën mirë.

Trajneri zviceran ka qenë në qendër të kritikave në Kosovë për ecurinë e dobët të dardanëve në vitet e fundit, veçanërisht dështimin për t’u kualifikuar në Euro 2020.

Kosova është ende në kërkim të fitores së parë në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës në historinë e saj.

Kjo është hera e dytë që kombëtarja verdhekaltër merr pjesë në kualifikimet e Botërorit dhe ato i nisi keq përsëri, pasi i humbi të dy ndeshjet e para në Grupin B, kundër Spanjës dhe ndaj Suedisë.

I pyetur rreth kritikave, Challandes tha të hënën në një konferencë për media: “I pranoj kritikat dhe presionin. Mua më duhet presioni dhe jam i gatshëm të punoj në presion. Më bën mirë presioni”.

Dardanët do të përballen me Gjeorgjinë më 2 shtator në udhëtim, para se të rikthen në Prishtinë për dy ndeshjet e vështira ndaj Greqisë më 5 shtator dhe ndaj Spanjës më 8 shtator.

Grupit i prin Spanja me 7 pikë, e ndjekur nga Suedia me 6, derisa Kosova ngel e fundit pa pikë. 

(Kosova Sot Online)