Challandes: Paqaradës s’i lutem të vijë, kam folur me Berishën por ai kërkon garanci

  • G.G /
  • 30 August 2021 - 12:30
Challandes: Paqaradës s’i lutem të vijë, kam folur me Berishën por ai kërkon garanci

Trajneri i Kosovës, Bernard Challandes, ka thënë se është i hapur të bisedojë me Leart Paqaradën për kthimin e tij në ekipin kombëtar por se nuk do t’i bëjë lutje atij, si dhe ka këmbëngulur Bernard Berisha s’u ftua sepse kërkon garanci për të luajtur.

Challandes e kritikoi mentalitetin e futbollistëve të tij në Kombëtaren e Kosovës, duke lënë të kuptohet se ata po kërkojnë garanci për të luajtur.

Duke folur në një konferencë për media të hënën në Prishtinë në prag të ndeshjeve kualifikuese për Kupën e Botës 2022 në fillim të shtatorit, Challandes u pyet për dy prej futbollistëve më të përfolur në vitet e fundit në Kombëtare.

Paqarada u tërhoq përkohësisht nga Kombëtarja, duke thënë se nuk do të rikthehej pa u larguar trajneri zviceran, derisa as Berisha nuk është pjesë e ndeshjeve të shtatorit.

I pyetur nëse ka biseduar me mbrojtësin e majtë të St. Pauli që prej atëherë, Challandes tha: “Jo, ai ka vendosur. Nëse më keni dëgjuar çfarë kam thënë pak më herët, duhet ta kuptoni. Mua më pëlqen Paqarada si lojtar… por ai ka vendosur të mos vij në ekipin kombëtar dhe nuk i lutem unë ‘oh të lutëm eja.’ Jo. Por nëse ai dëshiron të vij të flasë me mua, unë jam këtu.”

Ai tregoi se kishte biseduar me Berishën para publikimit të listës, duke thënë se sulmuesi i Akhmat Grozny kishte kërkuar garanci për të luajtur.

“Kam folur me Bernard Berishën. Është problemi i mentalitetit. Unë nuk mund t’i garantoj vend në ekip askujt, por ai nuk mund ta pranoj këtë”, shtoi ai.

Kosova është ende në kërkim të fitores së parë në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës në historinë e saj.

Kjo është hera e dytë që kombëtarja verdhekaltër merr pjesë në kualifikimet e Botërorit dhe ato i nisi keq përsëri, pasi i humbi të dy ndeshjet e para në Grupin B, kundër Spanjës dhe ndaj Suedisë.

Dardanët do të përballen me Gjeorgjinë më 2 shtator në udhëtim, para se të rikthen në Prishtinë për dy ndeshjet e vështira ndaj Greqisë më 5 shtator dhe ndaj Spanjës më 8 shtator.

Grupit i prin Spanja me 7 pikë, e ndjekur nga Suedia me 6, derisa Kosova ngel e fundit pa pikë. 

(Kosova Sot Online)