Jorginho: Më zemëruan ata që më quajtën djali i Sarrit

  • S.A /
  • 02 September 2021 - 09:29
Jorginho: Më zemëruan ata që më quajtën djali i Sarrit

Jorginho ka folur për herë të parë për disa prej kritikave që i mori gjatë fillimit të karrierës së tij në Chelsea, duke zbuluar se ishte inatosur nga njerëzit që e kishin quajtur “djali i Sarrit”.

Maurizio Sarri e solli Jorginhon me vete nga Napoli pasi u emërua trajner i Chelseat në vitin 2018, me shpresën se italiani do ta udhëhiqte mesfushën e skuadrës londineze ashtu siç kishte bërë në Napoli.

Por pas disa vështirësive fillestare në Londër, Jorginho duhej të duronte fjalë se ai zinte vend në formacionin e Chelseat vetëm falë marrëdhënieve të mira që kishte me trajnerin.

Jorginho ia doli t’i tejkalojë ato kritika dhe vështirësi dhe që prej atëherë e ka fituar Ligën e Kampionëve me Chelsean dhe Kampionatin Evropian me Italinë.

Duke folur për fillimin e vështirë në Chelsea, Jorginho tha: “Fillimi im në Chelsea më bëri që Napoli të më mungojë edhe më shumë. Të gjithë e mbajmë në mend se çfarë thoshin ata, apo jo? Se unë isha shumë i ngadalshëm. Se unë isha i dobët. Se unë isha djali i Sarrit. Kjo më zemëroi shumë”.

Ai shtoi: “Por dëgjoni, ata më nënvlerësuan mua. Unë e kam pasur një fillim të vështirë në çdo klub që kam qenë. Çdo klub. E pabesueshme. Kur shkova në Verona askush nuk më donte. Ata më dërguan në kategorinë e katërt. Askush nuk më donte as atje”.

“Por unë e vazhdova punën dhe e fitova respektin. U ktheva në Verona dhe ne u rikthyem në Serie A. E pata një vit të vështirë në Napoli dhe pastaj erdhi Sarri dhe çdo gjë ndryshoi. Në Chelsea kritikat i përdora si nxitje. Tani jam ulur këtu me titullin e Ligës së Evropës dhe titullin e Ligës së Kampionëve. Prandaj për krejt kritikët. Dua t’iu them një gjë: Faleminderit. Vërtet, faleminderit të gjithëve”, u rrëfye ai.

(Kosova Sot Online )