Granit Xhaka i vetmi që e refuzoi vaksinën kundër Covid-19 në Kombëtaren e Zvicrës, konfirmon Federata zvicerane

  • S.A /
  • 02 September 2021 - 11:43
Granit Xhaka i vetmi që e refuzoi vaksinën kundër Covid-19 në Kombëtaren e Zvicrës, konfirmon Federata zvicerane

Granit Xhaka nuk ka pranuar ta marrë vaksinën kundër pandemisë Covid-19, derisa pothuajse të gjithë bashkëlojtarët e tij në ekipin kombëtar të Zvicrës janë vaksinuar tashmë, ka konfirmuar Adrian Arnold, shefi për media në Federatën e Futbollit të Zvicrës.

Xhaka mungoi në fitoren e Zvicrës 2:1 kundër Greqisë të mërkurën në një ndeshje miqësore, pasi u infektua me koronavirus.

Mesfushori i Arsenalit prejardhje nga Podujeva doli pozitiv në testin për Covid-19 ditën e ndeshjes dhe u fut në izolim menjëherë, që nënkupton se ai do t’i mungojë Zvicrës kundër Italisë dhe kundër Irlandës së Veriut në kualifikime për Kupën e Botës.

Xhaka, i cili i ka bërë 98 paraqitje për Zvicrën në karrierë, është lojtari i vetëm i pambrojtur plotësisht në pikëpamjen shëndetësore në ekipin zviceran, sipas Arnoldit, pasi derisa të tjerët janë vaksinuar, ai s’ka dashur ta marrë vaksinën kundër virusit.

“Granit Xhaka nuk është vaksinuar. Ai është lojtar i pa vaksinuar. Ne i kemi lënë (vendimin për vaksinim) në dorën e secilit lojtar, është zgjedhje personale për çdo lojtar, siç është për çdo person tjetër në Zvicër. Ne e kemi bërë një rekomandim që të vaksinohen të gjithë. Ai vendosi vetë (kundër vaksinimit). Është e drejta e tij të mos vaksinohet”

Arnold shtoi: “Të gjithë lojtarët e tjerë janë vaksinuar apo janë riaftësuar. Prandaj ata janë të sigurt, pak a shumë, të paktën prej pikëpamjes mjekësore. Por kurrë nuk i dihet. Fatkeqësisht Graniti u infektua. Nga pikëpamja sportive është shumë keq, sepse ai është i rëndësishëm për ne në këtë kohë”, shtoi ai.

Mospranimi i Xhakës për t’u vaksinuar i bën jehon qëndrimit të shumë shqiptarëve në Zvicrës që refuzojnë të vaksinohen, pavarësisht rrezikut që virusi përbën për shëndetin e tyre.

Madje gazeta e përditshmes zvicerane, Blick, iu bërë thirrje shqiptarëve të Zvicrës në gjuhën shqipe që të vaksinohen.

Thirrje atyre iu bëri edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes kësaj gazete të enjten.

“Vaksinimi jo vetëm që shpëton jetë, por na ndihmon edhe në mënyra të tjera në luftën kundër këtij virusi vdekjeprurës. Dhe mbron ekonominë. Ne kemi nevojë për këto në mënyrë që shoqëritë tona të rimëkëmbet. Prandaj u bëj thirrje kolegëve të mi kosovarë këtu në Zvicër, por edhe në Kosovë: “Ju lutemi të gjithë të vaksinoheni!” Ky është opsioni i vetëm për t’u marrë me këtë pandemi”, u shpreh Vjosa Osmani-Sadriu.

(Kosova Sot Online )