Ndryshime në Kombëtaren e Spanjës para ndeshjes me Kosovën

  • S.A /
  • 06 September 2021 - 10:38
Ndryshime në Kombëtaren e Spanjës para ndeshjes me Kosovën

Jose Luis Gaya është larguar nga ekipi kombëtar i Spanjës dhe vendin e tij e ka zënë Sergio Reguilon, para takimit kualifikues kundër Kosovës për Kupën e Botës të mërkurën në Prishtinë.

Kombëtarja e Kosovës është nikoqire e Spanjës në stadiumin Fadil Vokrri në kryeqytet të mërkurën mbrëma, për ndeshjen e Grupit B kualifikues për Botërorin e Katarit 2022.

Mbrojtësi i Valencias Gaya, i cili shënoi gol në fitoren e thellë të Spanjës 4:0 kundër Gjeorgjisë të dielën, pësoi një dëmtim të lehtë, por u largua nga grumbullimi për të mos rrezikuar ndonjë lëndim të rëndë.

Federata e Futbollit e Spanjës njoftoi: “Jose Luis Gaya largohet nga grumbullimi si masë parandaluese. Mbrojtësi i Tottenhamit Sergio Reguilon i bashkohet ekipit. Ardhja e Reguilon ka të bëjë me dëmtimin e Gaya në ndeshjen ndaj Gjeorgjisë”.

Në vend të tij, trajneri Luis Enrique e ka ftuar Sergip Reguilionin e Tottenhamit, i cili pritet të stërvit sot në Las Rozas me ekipin spanjoll para nisjes drejt Prishtinës.

Spanja do të mbërrijë në Prishtinë nesër, një ditë para ndeshjes me Kosovën.

Furia e kuqe është lidere e Grupit B me 10 pikë dhe ndaj Kosovës do të kërkojë ta përforcojë edhe më tej vendin e parë në përpjekje për ta siguruar pjesëmarrjen në Botërorin e vitit të ardhshëm.

Kosova është e treta me vetëm katër pikë dhe me pak apo fare shpresa për Katar. 

(Kosova Sot Online )