Kosova e fton Jasharin e Dritës për herë të parë, për ndeshjen me Spanjën

  • G.G /
  • 06 September 2021 - 13:22
Kosova e fton Jasharin e Dritës për herë të parë, për ndeshjen me Spanjën

Muharrem Jashari është ftuar për herë të parë në Kombëtaren e Kosovës dhe do t’i bashkohet ekipit në përgatitje për ndeshjen kualifikues kundër Spanjës për Kupën e Botës.

Kombëtarja e Kosovës është nikoqire e Spanjës në stadiumin Fadil Vokrri në kryeqytet të mërkurën mbrëma, për ndeshjen e Grupit B kualifikues për Botërorin e Katarit 2022.

Jashari, mesfushori i klubit të Superligës Drita, është ftuar për ta mbuluar boshllëkun e lënë nga Besar Halimi, i cili është i pezulluar për takimin e së mërkurës shkaku i kartonëve të verdhë.

Federata e Futbollit e Kosovës njoftoi se trajneri Bernard Challandes vendosi ta ketë në ekip 23-vjeçarin.

“Duke pasur parasysh se Lirim Kastrati dhe Besar Halimi nuk do të kenë të drejtë paraqitjeje në ndeshjen e radhës kualifikuese për Botërorin “Katari 2022” kundër Spanjës për shkak të pezullimit me kartonë, përzgjedhësi i Kombëtares, Bernard Challandes ka vendosur që për këtë ndeshje ta ketë në grumbullim mesfushorin e Dritës, Muharrem Jashari”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Verdhekaltrit do ta ketë një stërvitje të lehtë rigjenerimi sot dhe pastaj një ushtrim të martën, para takimit të fundit kualifikues të shtatorit kundër furisë së kuqe.

Kosova vjen nga një fitore historike kundër Gjeorgjisë të enjten, e para në një ndeshje kualifikuese për Botëror, dhe nga një barazim zhgënjyes me Greqinë të dielën.

Dardanët janë pothuajse pa shpresa për ta siguruar pjesëmarrjen në një Kupë Bote për herë të parë në historinë e Kombëtares, pasi renditen në vendin e tretë me vetëm katër pikë.

Kundërshtarja e ardhshme e Kosovës, Spanja është lidere e Grupit B me 10 pikë, e ndjekur nga Suedia me 9.

Fituesi i grupit shkon direkt në Botërorin e vitit të ardhshëm në Katar, ndërsa vendi i dytë luan një ndeshje play-off’i. 

(Kosova Sot Online)