Danilo e pranon: Liverpooli, City dhe PSG-ja më të forta se Juventusi

  • S.A /
  • 07 September 2021 - 10:30
Danilo e pranon: Liverpooli, City dhe PSG-ja më të forta se Juventusi

Mbrojtësi brazilian i Juventusit, Danilo, e ka pranuar se bardhezinjtë nuk janë favoritë për ta fituar Ligën e Kampionëve këtë vit, duke thënë se klubet si Liverpooli, Manchester City dhe Paris Saint-Germaini janë më të forta. Por Danilo thotë se pret shumë nga rikthimi i Massimiliano Allegrit në klub.

Danilo foli në një intervistë për kanalin e YouTube, Fui Clear, rreth mundësive të Juventusit për ta fituar garën elitare evropiane dhe për rikthimin e Allegrit në klub. Ky do të jetë sezoni i parë që Danilo luan nën urdhrat e trajnerit italian, i cili ishte larguar nga Juventusit në verën e vitit 2019, pak muaj para se të vinte Danilo në Torino.

“Allegri ka bërë histori në këtë klub, ai e ka fitoren në ADN. Ne nuk jemi në mesin e favoritëve për ta fituar Ligën e Kampionëve, por unë besoj në punë të zellshme dhe ne jemi të motivuar për t’u ballafaquar me këtë sezon në mënyrë garuese”, tha Danilo.

Danilo iu bashkua Juves nga Manchester City dhe beson se ish-klubi i tij është favorit për ta fituar Ligën e Kampionëve bashkë me Liverpoolin.

“Në letër ata janë një hap para nesh. Megjithatë, kam dy vjet në Juventus dhe e identifikoj veten me vlerat e këtij klubi”, shtoi ai.

(Kosova Sot Online )