Lukaku: Kam ëndërruar të shënoj në Stamford Bridge që prej moshës 11-vjeçare

  • G.G /
  • 12 September 2021 - 11:26
Lukaku: Kam ëndërruar të shënoj në Stamford Bridge që prej moshës 11-vjeçare

Sulmuesi i Chelseat, Romelu Lukaku, ka thënë se kishte ëndërruar të shënonte gol në Stamford Bridge që prej moshës 11-vjeçare, pasi i shënoi dy gola në fitoren e Chelseat 3:0 kundër Aston Villës.

Sulmuesi belg e shënoi golin e parë në karrierë në stadiumin e Chelseat pas një asisti nga Mateo Kovacic, duke i ndihmuar Chelseat ta ruajë ecurinë pa humbje në fillim të sezonit.

“Ka qenë ëndërr e imja që prej moshës 11-vjeçare. Kam punuar shumë për këtë çast”, tha Lukaku.

“Pata rënie dhe ngritje në fillim të karrierës sime por në tri vitet e fundit e kam gjetur një vazhdimësi. Me përvojë dhe punë të madhe, po e vazhdoj punën”, shtoi ai.

Lukaku e puthi emblemën e klubit kur e festoi golin hapës në ndeshje para tifozëve të kaltër, pasi e mposhti portierin Jed Steer në paraqitjen e tij të 15-të në përgjithësi në Stamford Bridge.

Ai e vulosi fitoren e Chelseat në kohën shtesë me një goditje të fuqishme nga cepi i zonës. 

(Kosova Sot Online)