Ronaldo është e kaluara, ky është Juventusi i Dybalas – thotë Chiellini

  • G.G /
  • 12 September 2021 - 11:27
Ronaldo është e kaluara, ky është Juventusi i Dybalas – thotë Chiellini

Mbrojtësi i Juventusit, Giorgio Chiellini, ka këmbëngulur se Cristiano Ronaldo është e kaluara dhe se ky është Juventusi i Paulo Dybalas.

Juventusi është pa fitore në këtë fillim sezon në Serie A, pasi barazoi në ndeshjen hapëse dhe i humbi dy ndeshjet e radhës pas largimit të Ronaldos në drejtim të Manchester Unitedit.

Bardhezinjtë u mposhtën të shtunën nga Napoli, por Chiellini këmbënguli se ata duhet të jenë krenarë për paraqitjen që bënë, pavarësisht disfatës.

“Ekipi ishte i bashkuar gjatë gjithë ndeshjes, prandaj ne duhet të jemi të kënaqur dhe krenarë me atë që e pamë”, tha Chiellini pas ndeshjes.

Mbrojtësi italian u pyet edhe për debutimin e dytë të Ronaldos në Manchester Unitedin, në të cilin ai i shënoi dy gola kundër Newcastle Unitedit.

“Kur e ke një lojtar të klasit botëror si Cristiano, nuk ke ç’të bësh tjetër pos ta përdorësh ekipin për të luajtur për të. Ne duhet të jemi mirënjohës ndaj Cristianos për gjithçka që ai ka bërë gjatë këtyre viteve në Juventus, por ne vazhdojmë përpara”, theksoi ai.

“Ky është ekipi i Paulo Dybalas. Në dy vitet e fundit, ai e uli mesataren e golave shkaku i pranisë së Ronaldos, por ai është lojtar kyç për këtë ekip dhe këtë e pranojnë të gjithë”, shtoi ai. 

(Kosova Sot Online)