Kuqezinjtë në formë: Bajrami shënon, Broja ndalet nga shtylla

  • E.K /
  • 12 September 2021 - 13:04
 Kuqezinjtë në formë: Bajrami shënon, Broja ndalet nga shtylla

Nedim Bajrami, prurja më e re në përfaqësuesen kuqezi, po kalon një formë shumë të mirë edhe në klubin e tij në Serinë A, Empoli.

22-vjeçari, i cili debutoi me Shqipërinë në sfidën me Hungarinë, e fituar 1-0 nga kuqezinjtë, spikati me paraqitjen e tij në takimin që Empoli e humbi 1-2 përballë Venecias.

Bajrami arriti të shënonte të vetmin gol për Empolin në minutën e 89-të, teksa u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke shkurtuar shifrat në 1-2. Goli i mesfushorit të Shqipërisë nuk mjaftoi gjithsesi për të ndryshuar fatin e ndeshjes.

Bajrami ishte më I vlerësuari ndër futbollistët e Empolit, me uebsajtin e specializuar për statistikat, SofaScore, që e vlerësoi me notën 7.4.

I pafat Armando Broja në sfidën e Premier League-s mes Southamptonit dhe West Ham United, e mbyllur me rrjeta të paprekura. Sulmuesi i Shqipërisë u hodh në fushë si zëvendësues në minutën e 74-t dhe impakti i tij në lojën e vendësve ishte i menjëhershëm.

Broja goditi shtyllën në minutën e 81-të, ndërsa në minutën e dytë shtesë u bllokua nga mbrojtja në momentin fundit. Pavarësisht se nuk arriti të shënonte, lojtari shqiptar tregoi potencialin e tij në pak minuta në fushën e blertë./SS/

(Kosova Sot Online)