Sampdoria e ndal Interin me barazim në një ndeshje argëtuese

  • E.K /
  • 12 September 2021 - 16:09
 Sampdoria e ndal Interin me barazim në një ndeshje argëtuese

Sampdoria e ka ndalur Interin me një barazim dramatik 2:2 të dielën në mesditë, duke ia ndërprerë kampionit në fuqi ecurinë e fitoreve radhazi në fillim të sezonit 2021/22 në Serie A.

Interi e pati dy herë në dorën epërsinë, falë golave nga Federico Dimarco dhe Lautaro Martinez në pjesën e parë në Luigi Ferraris, por Sampdoria ia doli ta barazojë rezultatin në secilin rast përmes Maya Yoshida dhe Tommaso Augello.

Kjo është ndeshja e parë që skuadra e Simone Inzaghit lëshon pikë, pas dy fitoreve në dy ndeshjet e para, në përpjekje për ta mbrojtur titullin në ligë.

Zikaltrit ngrihen në vendin e dytë me 7 pikë pas tri ndeshjeve, dy më pak se lideri, Napoli. Sampdoria, ndërkohë, ka vetëm dy pikë pas tri ndeshjeve dhe ende në kërkim të fitores së parë këtë sezon.

Dimarco e kaloi Interin në epërsi me një gol të jashtëzakonshëm nga gjuajtja e lirë në minutën e 18-të, kur shënoi në cepin e lartë të djathtë të portierit.

Yoshida e barazoi rezultatin për herë të parë për vendasit në minutën e 33-të, kur e mposhti Samir Handanovicin nga afërsia me ndihmën e Edin Dzekos që e devijoi goditjen e tij.

Në çastet e fundit të pjesës së parë, Martinez e ktheu epërsinë e zikaltërve duke e futur topin në rrjetën boshe nga afërsia pas një depërtimi dhe asisti të mrekullueshëm të Nicolo Barellas.

Por Augello e barazoi rezultatin sërish për Sampdorian me mbase golin më të mirë në ndeshje, kur e mposhti Handanovicin me një goditje fantastike me vollei.

Interi i kishte mundësitë e veta në vazhdim, por i mungoi goditja e fundit para portës, derisa rrezikoi edhe humbjen nga disa kundërsulme të rrezikshme të vendasve.

Javën e ardhshme, Interi e pret Bolognën, derisa Sampdoria i shkon Empolit.

(Kosova Sot Online)