Joshua: Më duhet të luftoj me Tyson Furyn, një meç i tillë i nevojitet boksit

  • S.A /
  • 14 shtator 2021 - 09:06
Joshua: Më duhet të luftoj me Tyson Furyn, një meç i tillë i nevojitet boksit

Anthony Joshua thotë se i duhet të luftojë kundër bashkatdhetarit të vet Tyson Fury, para se t’i varë dorëzat në gozhdë, sepse, siç thotë ai, boksi ka nevojë për një meç të tillë.

Joshua është duke u përgatitur për t’i mbrojtur titujt e tij të botës në kategorinë e rëndë në WBO, WBA dhe IBF kundër Oleksandr Usyk.

Lufta e tij kundër boksierit ukrainas do të zhvillohet në fund të këtij muaji në stadiumin e Tottenham Hotspur në Londër dhe Joshua shpreson se mund të përballet me Furyn pastaj.

“A më duhet Tyson Fury në regjistrin tim? Më duhet”, tha Joshua për BBC.

“Lufto kundër luftëtarëve të mirë dhe ata do ta nxjerrin më të mirën nga ju”, nënvizoi ai.

Bisedimet për një luftë për kampionin e padiskutueshëm të botës dështuan gjatë verës, por Joshua thotë përballja me Furyn është tejet e rëndësishme për të.

“Na duhet kjo luftë për hir të boksit”, këmbënguli Joshua.

Fury do të përballet me Deontay Wilderin për herë të tretë muajin e ardhshëm dhe kjo nënkupton se të dy boksierët duhet t’i fitojnë meçet e tyre përkatëse për ta bërë të mundur luftën për kampionin e padiskutueshëm të botës vitin e ardhshëm. 

(Kosova Sot Online )